Këngëtarja me origjinë shqiptare dhe famë botërore, Dua Lipa, ka konfirmuar se turneu i saj ndërkombëtar “Radical Optimism Tour” do të mbërrijë së shpejti edhe në Amerikën e Veriut.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo ndau emocionet me fansat duke shkruar: “Amerikë… Po vij për ty! Kush është gati për pop-ups të Radical Optimism?”.
Etapa amerikane e turneut do të nisë më 1 shtator 2025 në Toronto dhe do të zgjasë deri më 16 tetor, ku Dua do të performojë në qytete të mëdha si Chicago, Atlanta, New York, Miami, Dallas, Los Angeles, San Francisco dhe Seattle.
Turneu “Radical Optimism”, i cili filloi në nëntor 2024 në Singapor, ka kaluar tashmë në Azi, Australi dhe Evropë, duke u pritur me entuziazëm të madh nga publiku. Me mbi 40 koncerte të planifikuara në disa nga skenat më të mëdha të botës, ai shënon një nga projektet më ambicioze të këngëtares 29-vjeçare, e cila prej kohësh ka fituar statusin e një ylli global të muzikës pop. Përveç performancave madhështore, Dua ka paralajmëruar edhe hapjen e disa pop-up dyqaneve në qytetet kryesore të turneut në SHBA, ku fansat do të kenë mundësi të blejnë produkte ekskluzive, të përjetojnë eksperienca muzikore unike dhe të ndihen më afër këngëtares së tyre të preferuar.
Ky tur vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm të albumit të saj të tretë, “Radical Optimism”, që u publikua në pranverë dhe u mirëprit me vlerësime nga kritika për tingujt inovativë dhe stilin e saj karakteristik. Me këtë projekt, Dua Lipa jo vetëm që konfirmon vendin e saj si një nga artistet më të fuqishme të skenës ndërkombëtare, por edhe promovon një mesazh të qartë për optimizëm dhe forcë shpirtërore përmes muzikës. Për adhuruesit amerikanë, kjo është një mundësi e rrallë për të përjetuar nga afër performancat e saj të mbushura me energji, stil dhe një estetikë skenike që e ka bërë Dua Lipën një ikonë të muzikës moderne.

Foto nga Dua Lipa’s page
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA