Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, në lidhje me presionin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai ka thënë se Asociacioni është trashëguar nga qeveritë e kaluara, dhe se tash është obligim ndërkombëtar, që Kosova nuk mund ta mënjanojë.
Haradinaj foli edhe për Komisionin Menaxhues për Asociacionin, i cili tha se marrëveshja e vitit 2015, ka obliguar që ky komision të përbëhet nga persona të nacionalitetit serb.
Ai u shpreh se ka qenë e pritshme që Asociacioni i propozuar nga ai komision, të mos pranohej nga Kosova.
“Është e pritshme që me konsumu njëherë produktin e këtij komisioni, që nuk është produkt i Kurtit, por i marrëveshjes 2015. Nuk besoj as amerikanët që kanë pritur befasi, që kanë pritur prej serbëve të shkruajnë Asociacion që na pëlqen”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka thënë se ai dhe partia e tij, nuk ka kontribuuar për këtë marrëveshje, përkundrazi ai i ka përmendur protestat që ka marrë pjesë kundër Asociacionit.
Tutje, ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti, i ka bërë disa gabime sa i përket komunave veriore dhe dialogut.
Sipas tij, Kurti nuk e ka studiuar mirë pozicionin e Kosovës, në lidhje me tabelat e veturave për veriun.


