
Rritja e përgjithshme e çmimeve në muajin shkurt ishte 6.8% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, sipas matjeve nga metodologjia e Eurostat.
Sipas njoftimit të sotëm të INSTAT, ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Shkurt 2023 është 6,8%, por sipas matjeve kombëtare në të njëjtin muaj çmimet u rritën me 7.2%, si rrjedhojë e peshave të ndryshme që kanë grupet e mallrave në shportën e konsumit.
Sipas metodologjisë së Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve prej 11,8% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 7,3%, “Veshje dhe këpucë” me 5,5%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,1%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,5%, “Transporti” me 4,3%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,7%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,5%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,4%, “Shërbimi arsimor” me 2,9%, “Shëndeti” me 2,3% dhe “Komunikimi” me 1,1%.


