Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se pikëkalimet kufitare në Bërnjak e Merdar, që u mbyllën në mbrëmjen e së premtes, tashmë janë hapur. MPB-ja mori vendimin për lejim të qarkullimit pas njoftimit se grupet ekstremiste larguan bllokadat në territorin e Serbisë. Kalimi i qytetarëve përmes këtyre dy pikave ka qenë i pamundur deri në orën pesë të pasdites. Bllokimi i kufijve, sipas presidentes Osmani, po bëhet nga Beogradi me qëllim të destabilizimit të Kosovës.
Veturat që mësyjnë kalimin në Serbi përmes pikës kufitare në Bërnjak, ndalohen në postbllokun e Policisë që gjendet disa metra para se të mbërrihet te kufiri.
E ata që prej territorit të Serbisë tentojnë të hynë në Kosovë nëpërmjet kësaj pike, lejohen nga policët serbë por ndalohen nga policët kufitarë të Kosovës, të cilët po zbatojnë vendimin e MPB-së që u mor të premten mbrëma, për ta mbyllur përkohësisht këtë vendkalim.
Vendimi për mbyllje u mor rreth orës 21:00 dhe u bë për shkaqe sigurie, pasi një numër serbësh, kryesisht të maskuar, u mblodhën në pjesën e Serbisë për t’i bllokuar rrugët që lidhen me kufirin e KosovësAta bllokuan qarkullimin e kthyen prapa qytetarët shqiptarë që ishin të pajisur me dokumente të Kosovës.
Për të njëjtat arsye si në Bërnjak, kufiri qëndroi i mbyllur edhe në Merdar.
Në Merdar, kalimin këtej nuk e lejon as policia serbe.
Këtu për policët shqiptarë ka më shumë punë sesa në Bërnjak, meqë qarkullimi është më i madh dhe u duhet t’i njoftojnë qytetarët veç e veç, se për çfarë arsyesh nuk u lejohet kalimi.
Këto pika kufitare qëndruan të mbyllura deri në orën 17:00 kur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se s’ka më arsye që të mos hapen.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdar dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës sonë”, tha ai.
Bllokadat e krijuara nga serbët, presidentja Vjosa Osmani tha se po shfrytëzohen nga Serbia për ta destabilizuar Kosovën.
“Në kundërshtim me të gjitha marrëveshjes e Brukselit të cilat janë arritur në këto 12 vite, Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, fqinjësia e mirë, përkundrazi ajo po vazhdon të shfrytëzojë banda kriminale për të kryer sulme të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe ndaj lëvizjes së lirë. Këto bllokada të cilat janë krijuar kohëve të fundit, të cilat në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë tensione, të destabilizojnë Kosovën dhe gjithë rajonin tonë”, u shpreh presidentja.
Bllokadat e serbëve që nisën të premten pas orës 18 në pikëkalimet kufitare Bërnjak dhe Merdar të organizuara nga Këshilli Organizativ për Bllokada i Serbisë, erdhën si përgjigje e tyre ndaj aksionit të Policisë për mbylljen e 5 zyrave të strukturave paralele të Serbisë që operonin në veri të Kosovës.


