Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, po fyen pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës, duke mos ia plotësuar kërkesat e tyre për paga.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj tha se Kurti i ishte dorëzuar regjimit serb pa rezistencë, duke aluduar në kohën e burgosjes së tij në vitin 1999, ndërsa pjesëtarët e Njësisë Speciale nuk janë dorëzuar më 24 shtator kur ndodhi rasti i Banjskës.
“Për dallim nga ti Kryeministër, që dikur i ishe dorëzuar regjimit serb gjatë luftës, pa rezistencë, pjesëtarët e Njësisë Speciale që ti sot i fyen, më 24 shtator nuk u dorëzuan, por luftuan duke i mposhtur me turp terroristët e sponzorizuar nga Serbia”, është shprehur Haradinaj, teksa bëri thirrje që të plotësohen kërkesat e tyre.
/KosovaPress/


