Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier thotë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe aleatit kryesor të saj po përballen me mosmarrëveshje rreth vendimeve politike të qeverisë aktuale të Kosovës dhe shpërfillje të këshillave të qeverisë amerikane në raport me komunitetin serb në Kosovë.
You can skip this ad in 3
Advertisement
Në një intervistë me Zërin e Amerikës, ambasadori Hovenier thotë se dallimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti nuk kanë të bëjë me anën ligjore të veprimeve, por me frymën dhe e tyre dhe pasojat konkrete tek komuniteti serb.
Hovenier ka thënë se Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës të mos veprojë në mënyrë të njëanshme por të bashkëpunojë me Uashingtonin dhe aleatët e tjerë perëndimorë.
Zëri i Amerikës: Marrëdhënia ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është në pikën më të ulët që ka qenë ndonjëherë. Shtetet e Bashkuara kanë vënë në pikëpyetje nëse qeveria e Kosovës është partnere e tyre dhe ju keni thënë që autoritetet e Kosovës kanë shpërfillur këshillat dhe kërkesat e Shteteve të Bashkuara, duke dëmtuar cilësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve? Si paraqitet situata aktualisht?
Jeff Hovenier: Ju falemnderit për pyetjen sepse më jep mundësinë të sqaroj se si qëndron situata, pasi mendoj se ndonjëherë ka keqkuptime dhe dua të jem sa më i qartë. Shtetet e Bashkuara janë po aq të përkushtuara ndaj Kosovës, ndaj popullit të Kosovës dhe shtetit të Kosovës, siç kemi qenë gjithmonë. Javën e ardhshme do ta shënojmë bashkë 25 vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s. Shtetet e Bashkuara luajtën një rol shumë të rëndësishëm së bashku me partnerët dhe aleatët tanë, për t’i dhënë fund fushatës të spastrimit etnik të Millosheviçit, në përkrahje të popullit të Kosovës ndërkohë që përcaktonte rrugën e vet dhe jemi shumë krenarë që e kemi mbështetur në këtë drejtim.
Nuk është sekret, nuk është mister, që jemi përballur me sfida me disa nga vendimet politike të qeverisë Kurti. Kam folur shumë për këtë çështje. Por kemi edhe disa fusha tjera të rëndësishme bashkëpunimi. Kemi punuar shumë në aspektin e energjisë. Qeveria e Kosovës ka miratuar strategjinë e re për energjinë, që është shumë ambicioze, që synon arritjen e (kapacitetit) 30 për qind të energjisë së gjelbër deri në vitin 2030. Jemi të kënaqur që kemi mbështetur hartimin e asaj strategjie, jemi të kënaqur me marrëveshjen e MCC-së përmes së cilës Shtetet e Bashkuara japin 202 milionë dollarë dhe qeveria e Kosovës do t’i japë mbi 30 milionë dollarë për këtë program. Kemi patur bashkëpunim të mirë në fushën e sundimit të ligjit.
Mosmarrëveshjet kanë të bëjnë me çështjen se cila është mënyra më e mirë për ta përmbushur vizionin e një shteti multietnik, si t’i mbrojmë sa më mirë komunitetet pakicë në Kosovë dhe si t’u japim përgjigjen më të mirë shqetësimeve të tyre. Kur mbështetëm pavarësinë e Kosovës, gjë për të cilën jemi krenarë, e bëmë në bazat e një ideje të përbashkët për një shtet sovran, demokratik dhe shumë-etnik dhe gjatë viteve kemi punuar me autoritetet e Kosovës për ta çuar përpara këtë vizion dhe do të vazhdojmë ta bëjmë një gjë të tillë.
Kemi pritur nga qeveria e Kosovës që të punojë ngushtë me ne për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të qytetarëve serbë (që jetojnë në Kosovë) sepse ata kanë të drejtë të gëzojnë kushte jetese, dinjitet e siguri si të gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës dhe si ta bëjmë këtë në një formë që respekton ata dhe që avancon vizionin e përbashkët për një shtet sovran, shumë-etnik dhe demokratik. Ky është synimi drejt të cilit po përpiqemi të punojmë bashkë dhe për këtë po kërkojmë bashkëpunim më të madh nga qeveria.
Zëri i Amerikës: Të flasim për zhvillimet më të fundit. Ju sapo reaguat kundër veprimit të qeverisë për të finalizuar shpronësimin e tokave në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës. Kjo vjen pas kritikave që i keni bërë qeverisë për vendimin për të ndaluar përdorimin e dinarit si dhe refuzimin për të bërë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit. Cilat janë bazat e shqetësimeve tuaja?
Jeff Hovenier: Dallimet nuk kanë të bëjë me anën ligjore të veprimeve, por me mënyrën se si po zbatohet ligji. Dua ta ilustroj me dy shembuj. Tek çështja e shpronësimit, askush nuk e konteston se qeveria e ka autoritetin të kryejë shpronësim toke. Por në të gjitha shoqëritë demokratike, shpronësimi i tokës – marrja e tokës për shkak të nevojave të qeverisë për atë tokë, megjithë kundërshtimin e pronarëve, është diçka që bëhet si zgjidhje të fundit, diçka që bëhet në rrethana të skajshme. Kur një gjë e tillë ndodh në pjesën veriore të Kosovës, ku tensionet janë tashmë të ngritura dhe ku qytetarët kanë dyshime nëse qeveria me të vërtetë po vepron në interesin e tyre, duhen pasur parasysh në veçanti ndjeshmëritë e komunitetit. Duhen përpjekjet maksimale për komunikim dhe një angazhim i plotë me komunitetin në një formë që nuk lë asnjë hapësirë për keqkuptim, me vëmendje për çdo detaj. Në Shtetet e Bashkuara sistemi gjyqësor përballet me çështje të shumta nga njerëzit që kontestojnë veprimet e qeverisë për të shpronësuar tokat. Është çështje e ndjeshme, njerëzit i duan pronat e tyre. Në rastin në fjalë, siç e thotë edhe deklarata jonë e përbashkët, jo vetëm e Shteteve të Bashkuara, por e të gjitha shteteve të Kuintit, Bashkimit Evropian si institucion dhe misionit të OSBE-së në Kosovë, asnjëri prej nesh nuk e konteston ligjshmërinë e veprimit të qeverisë për të shpronësuar tokë, por kemi rezerva për formën se si po bëhet ky veprim. Kemi patur disa diskutime me Qeverinë e Kosovës për interpretimin e ligjit dhe për faktin se nuk mendojmë se janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore.
Kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën se si qeveria është angazhuar me komunitetet e prekura nga ky vendim dhe kemi shprehur zhgënjimin tonë që këshilla jonë nuk është marrë parasysh.
E njëjta vlen për vendimin e Bankës Qendrore. Ne nuk e kontestojmë – e kam thënë disa herë publikisht – që Banka Qendrore e Kosovës ka kompetencat ligjore, të drejtën dhe përgjegjësinë të vendosë rregulla për institucionet financiare dhe çështjet financiare në gjithë territorin sovran të Republikës së Kosovës, që përfshin pjesën veriore të Kosovës. Por mënyra se si është zbatuar ky vendim, na shqetësoi. U bë me nxitim, pa u njoftuar në kohë. Kur u bë ndryshimi në qarkullimin me euro në Kosovë, njerëzit patën një vit të tërë për t’u përgatitur. Në këtë rast, ka komunitete në Kosovë që ne besojmë jetesa e të cilëve sigurohet nga pensionet apo përfitimet e skemës sociale dhe mënyra se si u bë, nga perspektiva jonë, ishte pa e konsideruar këtë çështje mjaftueshëm në mënyrë që komunitet e ekspozuara, njerëzit e rrezikuar, të kishin ende përkrahjen financiare tek e cila mbështeten. Pra ne nuk e kontestuam ligjshmërinë, ne nuk e sfidojmë të drejtën e Kosovës të thotë se monedha që ne përdorim në bazë të ligjit në Kosovë është euro, ky është vendim i autoriteteve sovrane të Kosovës. Ne donim që qeveria të punonte me ne se si ta bëjmë këtë gjë. Ofruam ekspertizën dhe përkrahjen tonë për ta bërë në një formë që u jepte informacion të dobishëm atyre që prekeshin nga ky vendim, që merrte parasysh pasojat negative të këtij vendimi, që t’i shmangte ato dhe të bëhej në një formë që të mund ta mbështesnim.
Ne duam të jemi përkrahësi më i fuqishëm i qeverisë së Kosovës, i banorëve të Kosovës. Duam ta shohim Kosovën të avancojë në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Duam ta shohim Kosovën në NATO dhe në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës. Por për ta ndihmuar Kosovën të arrijë këto qëllime, duam që qeveria të ndërarrë veprime që u përgjigjen shqetësimeve që kemi ngritur, që avancon këto qëllime, që është në përputhjeme zotimet që Kosova ka bërë në dialog. Këto janë ato i presim dhe pjesë e asaj që besojmë se po mungon së fundmi.
Zëri i Amerikës: Si mund të kapërcehet situata në të cilën është kjo marrëdhënie?
Jeff Hovenier: Nuk mendoj se do të ketë ndonjëherë një moment kur qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe amerikanët nuk do të mbështesin njerëzit dhe projektin e Kosovës. Është pjesë e ADN-së tonë. Thuhet se Kosova është vendi më pro-amerikan në botë, por mendoj se edhe Shtetet e Bashkuara janë vendi më pro-Kosovë në botë. Por kjo nuk do të thotë se një qeveri e caktuar mund të bëjë ç’të dojë. Nuk do të thotë se një qeveri e caktuar mund të marrë vendime politike për të cilat ne besojmë që minojnë atë që po mundohemi ta arrijmë bashkë, që është integrimi në strukturat evropiane dhe euroatlantike, afrimi drejt anëtarësimit në BE, anëtarësimit në NATO, anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Zëri i Amerikës: Ndërkohë, kryeministri i Kosovës thotë se ai po zbaton sundimin e ligjit dhe së fundi tha se bashkësia ndërkombëtare po bën trysni të pajustifikuar mbi të. Cila është përgjigja juaj?
Jeff Hovenier: Ndihem shumë komod me atë që Shtetet e Bashkuara po kërkojnë nga Kosova, pasi ajo që po kërkojmë nga Kosova është në të mirë të Kosovës.
Qeveria duhet të marrë disa vendime të vështira. Kërkojmë që të bëjë një punë më të mirë duke treguar ndjeshmëri ndaj shqetësimeve të komuniteteve pakicë. Po kërkojmë që të punojë më me efikasitet me vendet dhe organizmat të cilat do ta ndihmojnë për t’i arritur ato qëllime. Ajo që po kërkojmë është më pak veprime të njëanshme dhe më shumë bashkëpunim.
Zëri i Amerikës: Njëra nga kërkesat drejtuar Qeverisë së Kosovës është hedhja e hapave konkretë për themelimin e Asociacionit. Udhëheqësit e Kosovës nga i tërë spektri politik duket se nuk janë komodë me krijimin e Asociacionit ndërkohë që i druhen një përsëritjeje të skenarit të Bosnjës duke iu referuar rrezikut të shpërbërjes që po përjeton ajo. Përse mendoni që një qasje e tillë do të funksiononte në Kosovë?


