Tiranë – Në një videomesazh të transmetuar gjatë Forumit Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative) që u mbajt për herë të parë në Tiranë, Jared Kushner, këshilltar i lartë dhe investitor me ndikim global, ka zbuluar detaje të reja rreth projektit ambicioz që po planifikohet në Ishullin e Sazanit. Ai e cilësoi atë si një nismë që do të sjellë diçka “tërësisht unike në botë”.
Kushner, i cili është i përfshirë në zhvillimin e disa projekteve strategjike në Ballkan, u shpreh se Sazani ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u kthyer në një destinacion elitar turistik, historik dhe kulturor, duke ruajtur identitetin dhe natyrën e tij të veçantë.
“Ky projekt nuk do të jetë vetëm një resort apo një investim tradicional. Është diçka më e madhe. Po punojmë që Sazani të kthehet në një simbol ndërkombëtar të bashkëjetesës së natyrës, trashëgimisë kulturore dhe luksit të qëndrueshëm,” tha Kushner.
Kushner: “Jam xheloz që jeni në Shqipëri sot, është një vend i bukur. Kam qenë me pushime kur lamë qeverinë në verën e vitin 2021, ishim në anijen e një shoku, para Korfuzit kaluam disa ditë në Shqipëri. Në një nga netët, kryeministri Rama erdhi te anija. Nuk e kisha takuar kur ishim në qeveri, por u impresionova me vizionin se çfarë donte të bënte ai për Shqipërinë.
Unë nuk dija asnjë gjë për vendin, nuk e dija as historinë e të shkuarës së errët të komunizmit që e kishte lënë plotësisht të pazhvilluar si shtet.
Një nga gjërat që më tërhoqi ishte se ai (Rama) është një politikan me shumë aftësi, një lider i fuqishëm dhe i zgjuar, por edhe një artist. U intrigova nga kjo dhe para së të shkoja në Korfuz, vizituam Butrintin që ishte një vend spektakolar. Vendi kishte një natyrë të bukur, por dukej sikur ishte një vend që askush nuk e dinte dhe nuk e kuptonte. U mendova për një vit dhe një vit më vonë fillova të shikoja mundësitë për investime në Ballkan dhe ortaku më tha ‘hajde ikim në Shqipëri, të shohim çfarë mund të bëjmë’. Vendi po ndërton një aeroport në bregdetin që ata mendojnë se është më i bukuri. Kështu që shkuam atje dhe pamë për mundësi për të ndërtuar diçka që do të jetë unike në botë.
Shpenzuam një vit duke studiuar tregun, demografinë, a është një vend i pastër, a do të bëjë qeveria atë që premton. Sa më shumë që studiuam tregun aq më shumë u dashuruam me atë që do të krijonim dhe kuptuam që mjedisi ishte perfekt.”
Një vizion për të ardhmen e turizmit shqiptar
Ishulli i Sazanit, për dekada i izoluar për shkak të karakterit ushtarak, është kthyer në një nga asetet më të diskutuara të turizmit shqiptar. Me natyrë të paprekur, histori të pasur dhe pozicion gjeostrategjik, ai është shpesh në qendër të diskutimeve për zhvillim të qëndrueshëm.
Deklarata e Kushner-it vjen në një moment kur Shqipëria po tërheq vëmendjen e investitorëve globalë dhe po përpiqet të vendosë veten si një lojtar serioz në hartën turistike të Mesdheut.

Projekti pritet të ngjallë debat publik
Ndërsa plani mbetet ende në fazat e hershme, ideja e transformimit të Sazanit në një destinacion të klasit botëror ka nxitur edhe diskutime mbi ruajtjen e mjedisit, transparencën në proceset e investimit dhe rolin e shtetit në menaxhimin e pasurive natyrore.
Qeveria shqiptare, nga ana tjetër, ka shprehur mbështetje për projekte që sjellin investime të huaja dhe zhvillim afatgjatë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të kritereve të mbrojtjes së trashëgimisë dhe biodiversitetit.
Projekti në Sazan mbetet një zhvillim për t’u ndjekur me vëmendje, jo vetëm për shkak të figurave ndërkombëtare të përfshira si Jared Kushner, por edhe për ndikimin që mund të ketë në të ardhmen ekonomike dhe mjedisore të Shqipërisë.
Foto nga Google Images


