Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) mbajti sot konferencë për media ku u shpalos raporti analitik lidhur me zhvillimet gjatë sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, me titullin: “Ligjvënia mes shumë sfidave”.
Arbër Thaçi, hulumtues në KDI, gjatë interpretimit të të dhënave, tha se ky sesion është karakterizuar nga shumë të papritura dhe përmbajtje të llojllojshme, dhe ligjvënia gjatë kësaj periudhe u shoqërua me shumë sfida.
“Gjatë këtij sesioni, Kuvendi zhvilloi 49 seanca në tërësi. Afërsisht gjysma e tyre ishin seanca plenare, ndërsa ngecja në trajtimin e agjendës parlamentare në vitin paraprak dhe aktual, së bashku me keqplanifikimin, shkaktoi nevojën për të zhvilluar një numër të madh të vazhdimeve të seancave. Përveç këtyre, u mbajtën edhe tetë seanca të jashtëzakonshme dhe dy seanca të karakterit solemn”, thuhet në njoftim.
Thaçi shtoi se Kuvendi gjatë kësaj periudhe miratoi gjithsej 44 projektligje, 11 prej të cilave ishin marrëveshje ndërkombëtare. Nga këto, 17 projektligje ishin pjesë e planit legjislativ të Qeverisë për vitin 2023, ndërsa pjesa më e madhe e projektligjeve të miratuara, 27 projektligje, ishin të planit legjislativ të viteve paraprake 2022 dhe 2021.
Sipas KDI-së Kuvendi përmbushi 13% të planit legjislativ 2023. Në anën tjetër, 14 projektligje ende presin miratimin në lexim të dytë, pasi janë miratuar vetëm në shqyrtim të parë gjatë këtij sesioni.
Thaçi tregoi se mungesa e kuorumit ka ndikuar negativisht në këtë sesion, megjithatë numri i mjaftueshëm i deputetëve për të zhvilluar punimet e Kuvendit ka ekzistuar gjatë gjithë kohës, siç evidentohet në listat zyrtare.
“Kjo dëshmon se deputetët kanë qenë të kujdesshëm për tu regjistruar për të marrë mëditjet, por kanë treguar papërgjegjshmëri në pjesëmarrje të rregullt në punimet e Kuvendit. Kjo është në kundërshtim me Aktgjykimet Gjykatës Kushtetuese dhe interesin publik, që i obligon deputetët që të marrin pjesë rregullisht në punimet e Kuvendit”, tha Thaçi.

Ai vuri në dukje edhe përdorimin e shpeshtë të gjuhës jo parlamentare, që nuk u ndëshkua nga ana e Kryetarit të Kuvendit, e që prodhoi tensionim të gjendjes, e cila gjatë muajit korrik eskaloi edhe në përplasje fizike mes deputetëve e ministrave, me përmasa të tilla të papara ndonjë herë në Kuvend


