Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar sot se janë duke shqyrtuar kërkesat e Policisë së Kosovës, lidhur me Ligjin e pagave, rrezikshmërinë në punë, e kërkesa tjera që kanë parashtruar para pak ditësh.Kurti tha se policia ka mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Kjo është një çështje që ne e kemi konsideruar me intensitet të lartë dhe po punojmë intensivisht. Duhet t’i ndajmë nevojat, meritat dhe dëshirat dhe gjithashtu duhet të kemi kategorizim, klasifikim e sistematizim të kujdesshëm që të mos krijojmë pabarazi shtesë. Unë personalisht jam duke u marrë me këtë temë veç na duhet edhe pak kohë që të mos bëjmë gabime që do të shkaktojmë zhgënjime e pendesa.
Ndryshe, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ka pranuar një peticion me dhjetë kërkesa nga Sindikata e Policisë së Kosovës.
Kërkesat e sindikatës janë Ligji i pagave, shtesa e rrezikshmërisë në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikimi në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fund-vit për performancë të mirë, tri paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurimi shëndetësorë dhe jetësor si dhe Ligji për pensionim në Policinë e Kosovës. /Telegrafi/


