Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se më 19 mars do mbahet një takim i ri në kuadër të dialogut. Takimi, sipas Stanos, do jetë në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa mes tjerash do trajtohet edhe çështja e dinarit.
Stano rikujtoi se kohë më parë ishte zhvilluar një takim në Bruksel lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas tij, ky takim solli ca rezultate, por duhej të vazhdohej me diskutim, në nivel të kryenegociatorëve
“Ky problem u krijua si pasojë e mungesës së koordinimit dhe veprimit të njëanshëm që krijoi probleme në dialog. Por e mira është se ne filluam të merremi me këtë në kuadër të dialogut. Pra, vazhdimi i diskutimeve lidhur me dinarin do të jetë nga çështjet e pakta në rendin e ditës të martën e ardhshme”.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian ka konfirmuar se, pos çështjes së dinarit, do trajtohet edhe zbatimi i marrëveshjes se Ohrit, apo, siç u shpreh ai, do të preken aspektet individuale të kësaj çështjeje, si nga palët, ashtu edhe nga ndërmjetësi.


