Më 7 tetor të vitit 1945, në Tiranë u shënua një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe letërsinë shqiptare: krijimi i Lidhjes së Shkrimtarëve. Kjo organizatë, e formuar pas Luftës së Dytë Botërore, shënoi fillimin e një periudhe të re për shkrimtarët dhe poetët shqiptarë, duke krijuar një platformë për të ndarë punën e tyre dhe për të mbështetur njëri-tjetrin.
Në mbledhjen themeluese morën pjesë rreth 70 veta — shkrimtarë, publicistë, gazetarë, gjuhëtarë, si dhe të rinj të letërsisë që më vonë do të formonin seksionin e talenteve të reja. Mbledhja u zhvillua në kinema “Kosova” në Tiranë. Presidiumin e hapjes së mbledhjes e kryesuan emra si Aleksandër Xhuvani, deri tek Vinçenc Prennushi, Sejfulla Malëshova, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, dhe të tjerë. Sejfulla Malëshova u zgjodh kryetar i Lidhjes, ndërsa figura historike Fan Noli mori rolin e presidentit nderi.
Dy vite pasi u formua Lidhja e Shkrimtarëve (1945), në 1947 krijohet Lidhja e Artistëve. Kjo organizatë bashkon më vonë krijues të arteve vizuale, muzikës, skulpturës e fusha të tjera. Në vitin 1957, dy Lidhjet — ajo e Shkrimtarëve dhe ajo e Artistëve — u bashkuan zyrtarisht, duke krijuar institucionin e përbashkët të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA).
LSHA arriti të publikojë disa botime letrare dhe revista që shërbyen për pasurimin kulturor të vendit: revista si Literatura jonë, më vonë Letërsia jonë (1947), revista mujore Nëntori (1954), të përjavshmen Drita (1961), revistë në frëngjisht Les lettres Albanaises (1978), dhe më vonë Bota Letrare. Organizata ka pasur ndikim të madh edhe gjatë periudhës së regjimit komunist: letërsia dhe arti ishin të integruara në diktatin ideologjik të kohës, me presione për t’u përshtatur me realitetin socialist dhe propagandën ideologjike. Disa shkrimtarë dhe artistë përballeshin me censurë, përsekutime dhe kufizime, ndërkohë që organizata kishte një rol autoritativ në përcaktimin e “standardeve” letrare dhe artistike.
Me ndryshimet demokratike në fillim të viteve ’90, LSHA përjetoi një transformim: pluralizim të mendimeve, lirësi më të madhe shprehjeje, por edhe sfida ekonomike dhe institucionalë. Botimet dhe aktivitetet zbresin në përmasa dhe ndikimi zhvendoset — disa organe botuese u shuan ose kanë mungesë të financimit. Ndërkohë, anëtarët e Lidhjes, krijuesit shqiptarë, vazhdojnë të mbajnë gjallë traditën dhe vlerësimin e letërsisë dhe artit, duke kërkuar hapësira kulturore, mbështetje financiare dhe qëndrueshmëri për veprat e tyre.
Themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve më 7 tetor 1945 është ngjarje kyçe për literaturën dhe kulturën shqiptare. Ai simbolizon fillimin e një epoke të re, ku krijuesit u organizuan, u njohën si komunitet dhe i hynë rrugës së bashkimit për të ndërtuar një identitet letrar dhe artistik nacional. Edhe pse koha sjell sfida — ideologjike, financiare, institucionale — vlera e këtij institucioni mbetet e pazëvendësueshme: e ndërton kujtesën kulturore, pasuron trashëgiminë letrare dhe ruan frymën e krijimit në të gjitha letrat e artit.
Foto nga Google Images
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA