4.2 C
Sterling Heights
14/03/2026, 18:27
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Kujtim Hajdari vjen për lexuesit me romanin e katërt ”TË JETOSH PËR NDËSHKIM”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaKultureKujtim Hajdari vjen për lexuesit me romanin e katërt ”TË JETOSH PËR...

Poeti dhe shkrimtari Kujtim Hajdari vjen kësaj radhe për lexuesit e gjerë me romanin e tij të katërt të titulluar  ”TË JETOSH PËR NDËSHKIM”. Ky roman vjen në treg  nga shtepia botuese PRINTAL, dhe nën kujdesin e zonjës së nderuar Fitore Lami, të cilën autori e falënderon për kohën rekord dhe cilësinë e botimit si dhe çmimin e arsyeshëm.

Po ju sjellim me poshtë nje fragment nga romani:

***

FANI DHE HIJET PËRRETH

Ditë pas dite, javë pas jave, mbrëmjet zvarriteshin të gjata, heshtja duke e shtypur si një mbulesë e rëndë. Mendja e tij rikthente momente, duke u përpjekur të gjente se si kishte rrëshqitur larg ngrohtësia, duke kërkuar ndezjen e asaj lidhjeje të humbur në ditët e fundit të historisë së tij dikur aq të gjallë.

Ai pëshpëriti nën frymë: “Ata tani jetojnë atje… pa mua. Dhe unë këtu vetëm me fantazmën e së kaluarës dhe me urrjetjen e talljen e të gjithëve” Jeta për të kishte humbur kuptimin, ishte kthyer në diçka neveritëse. Po afrohej te 60-tat dhe sëmundjet po i rëndonin; presioni i lartë, reumatizma, diabeti, harresa…

”E pse duhet të jetoj akoma?” Shpesh nxehej me veten. Disa herë qe zgjatur nga dritarja e katit të tretë por fluturimi i dukej një makabër dhe pastaj dikush e tërhiqte pas prej xhakete. Sa kthente kokën ajo hije zhdukej. Dhe ai shikonte yjet lart.

”Perëndia nuk më do akoma. Duhet të jetoj ende si ndëshkim.”

I këputur u tërhoq dhe këtë radhë; u ul në karrigen e konsumuar, sytë i hodhën një vështrim drejt derës së zbrazët. Qyteti pulsonte përtej, indiferent.

”Po Franka ç’u bë? Ku u zhduk kuçka e dreqit? Të thashë Franca do na marrësh më qafë. U gëzoje dhuratave të mia dhe unë rinisë tënde. Ah moj Frankë…, moj shejtankë.” Skena dashurie i trazoheshin para sysh si në vortiqe murrlani. Fjalë dashurie, çuçurima, qeshje gajasje… iu duk se po ngrinin dhe shtëpinë, koka po i buçiste, tëmthat po i hapeshin. ”Larg, larg, larg…” Por ato më shumë vërsuleshin, më shumë e mbytnin. ”Ku vajtën, ku përfunduam?” U ngrit dhe po ecte si i çmendur nëpër dhomë. Mori një thikë të mprehtë guzhine që priste mishin. U afrua tek banaku. Dora po i dridhej, sytë nuk kuptoi nëse po i rridhnin lotë apo gjak. Gjithshka përqark kishte marrë ngjyrën e gjakut. ”Një goditje Fani, një goditje fort dhe mbaroi.”

”Kush po fliste, kush po çirrej?” Me thikën që dridhej kontrolloi cepat e shtëpisë. Asnjeri.

”Atëherë je ti Fani.” Iu drejtua vetes. Do që ta kalosh kaq lehtë. Një goditje dhe mbaroi. Jo, jo Fani. Ti duhet të vuash. Duhet të jetosh për ndëshkim.” Dhe e flaku thikën në bidonin e plehërave. ”kështu s’e sheh më.”

Ditët më pas vazhduan në një monotoni murgu. Strukej në muzgje të errëta dhe në hijen e rëndë të vetmisë. Jeta e tij dalëngadalë u reduktua në gjërat thelbësore: disa gjëra personale, një llogari bankare në rënie dhe një zemër e rënduar nga dhimbja, trupi që po e brenin sëmundjet përditë. Tash dhe tek mjeku shkonte rrallë, kur nuk duronte dhimbjet. Nga shtëpia dilte vetëm për të marrë ndonjë gjë.

Bota e tij ishte tkurrur në këto katër mure, ku koha lëvizte më ngadalë dhe vetmia ishte i vetmi shok i zymtë por besnik, që e shoqëronte në këto netë të gjata.

”Sa do të zgjasi kjo jetë? Sa larg do të jetë fundi?” ai pëshpëriti i trembur.

Nata nuk iu përgjigj me asgjë përveç tik-tak-ut të pandërprerë të orës së murit, çdo sekondë duke e tërhequr më thellë në mbretërinë e brishtë të izolimit që kishte krijuar rreth vetes.

Abise hijesh e gllabëronin duke i buçitur në vesh: ”Ndëshkim, ndëshkim, ndëshkim…”

***

Çfarë ka ndodhur me këtë personazh?

Cili është fati i tij?

Këto do i mësoni në faqet e romanit kush do ketë mundësinë dhe kënaqësinë ta lexojë.

Kush dëshiron ta ketë, mund të kontaktoj autorin në messenger.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img