Kryeministri Albin Kurti ka takuar senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit, përfshirë dialogun me Serbinë.
Kurti ka thënë se në këtë takim është theksuar rëndësia që të gjitha shtetet demokratike të qëndrojnë kundër agresionit rus.
“Demokracia është sistemi edhe më i fortë dhe më i brishtë. Andaj, duhet ta kultivojmë dhe ta mbrojmë. Diskutuam edhe për zhvillimet e fundit në vend, progresin edhe synimet përpara”.
“Bashkëbiseduam edhe për raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian me theks te Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Zbatimit. Ato përbëjnë avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre. Prandaj, na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pakushtëzime”, ka thënë Kurti.
Para takimit me Kurtin, senatorët amerikanë janë pritur edhe nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Aty kanë theksuar mbështetjen e shteteve të Bashkuara për Kosovën si dhe kanë kërkuar që Serbia të ndalojë së penguari Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Senatorët amerikanë kanë kërkuar që Serbia të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Kosova këtë vit të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, u takuan edhe me presidenten, Vjosa Osmani.
Senatori Murphy tha se si Kosova, ashtu edhe Serbia janë para zgjidhjeve të vështira.


