Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright në dyvjetorin e vdekjes së saj.
Kurti në një postim në rrjetin social X ka shkruar se vendi ynë do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj Albright për ndalimin e gjenocidit në Kosovë
“Kanë kaluar dy vjet që nga vdekja e sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, një avokate e vendosur për vlerat amerikane jashtë vendit. Kosova do të jetë gjithmonë jashtëzakonisht mirënjohëse për përkrahjen e saj ndaj ndërhyrjes së NATO-s, e cila ndaloi krimet e papërshkrueshme të gjenocidit”, shkroi Kurti.
Madeleine Albright u lind në vitin 1937 dhe ishte gruaja e parë që mbajti postin e sekretares së Shtetit. Ajo ishte një figurë kyçe në administratën e Bill Clinton dhe udhëhoqi politikën e jashtme të SHBA-së në periudhën e pas Luftës së Ftohtë.
Ajo luajti një rol kyç në ndërhyrjen në Kosovë në vitin 1999 për të parandaluar gjenocidin ndaj shqiptarëve nga kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq.
Albright akuzoi Millosheviq për krijimin e “tmerrit të përmasave biblike” në dëshirën e tij për të zhdukur shqiptarët në Kosovë.
Mësimet e dhimbshme të nxjerra në Ruandë dhe në Bosnje i shërbyen mirë SHBA-së në Kosovë kur serbët më të fuqishëm filluan spastrimin etnik të shqiptarëve. Në vitin 1999, NATO u përgjigj me një fushatë 14-javore të sulmeve ajrore që përfshinte edhe Beogradin.


