Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar drejt rrugës së Bashkimit Evropian, duke theksuar se sfidat shpesh janë të ngjashme të përbashkëta.
Pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Shkup, Kurti ka shkruar se është takuar me Kryetarin e Aleancës për Shqipëtarët, Arben Taravarin, duke shtuar se shërbimi ndaj qytetarëve duhet të jetë qellim i palëkundur, e rruga euroatlantike është e qartë.
“Në Shkup, në margjina të konferencës së liderëve të rajonit për Planin e Rritjes së BE-së, bashkë me kryeministrin Rama takuam dhe bashkëbiseduam me Arben Taravarin, Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët. Shqiptarët më shumë sesa fat, e kanë vetëdije historike e kombëtare orientimin e qartë euro-atlantik dhe ndërtimin e aleancave mbi vlera e bindje. Sfidat shpesh i kemi të ngjashme e të përbashkëta. Shërbimin ndaj qytetarëve duhet përherë ta kemi qëllim të palëkundur të angazhimit politik. E në rrugë e sipër na duhet të jemi krah për njëri-tjetrin, për zhvillim, demokratizim, reformë, progres dhe mirëqenie”, ka theksuar Kurti në Facebook.


