Në kuadër të Konferencës së Mynihut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
“Po ashtu u fol për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftim.
“U takova me Kurtin në Konferrencën e Mynihut për Siguri për të diskutuar për nevojën për avancim të propozimit të BE-së për normalizim raportesh me Serbinë, që është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Do të takohemi në Bruksel për takim në nivel të lartë më 27 shkurt”, ka shkruar Borrell në Twitter, transmeton Telegrafi.
Për propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë u fol në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet një konferencë për sigurinë.
Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.
Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik. /Telegrafi/


