Muzika shqiptare ka humbur një nga zërat e saj më të veçantë. Dhimitër Dushi, tenori i njohur i muzikës klasike, të lehtë dhe popullore, u nda nga jeta ditën e mërkurë, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
I lindur më 7 tetor 1947 në lagjen karakteristike Mangalem të Beratit, Dushi ishte një figurë e shquar e skenës muzikore shqiptare. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1976, ai nisi karrierën e tij në Estradën Profesioniste të Beratit, ku u bë një ndër emrat më të dashur të publikut.
Gjatë jetës së tij artistike, Dhimitër Dushi interpretoi mbi 600 këngë, duke përfshirë arie të klasikëve botërorë, muzikë të lehtë dhe këngë popullore beratase. Ai mori pjesë në 8 Festivale Kombëtare të Këngës në RTSH, si dhe në festivale folklorike dhe qytetare, duke përfaqësuar Shqipërinë në turne ndërkombëtare në Greqi, Turqi, Itali, Kroaci, Kosovë dhe më gjerë.

Për kontributin e tij të çmuar, ai u vlerësua me Medaljen “Naim Frashëri” dhe u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga Këshilli Bashkiak i Beratit. Edhe pas daljes në pension, ai vazhdoi të këndojë në çdo aktivitet ku thirrej, duke dëshmuar dashurinë e tij të thellë për artin dhe publikun.
Ndarja e tij nga jeta ka lënë një boshllëk të madh në muzikën shqiptare, por trashëgimia e tij artistike do të mbetet e paharruar. Lamtumirë, maestro! 🎶


