Bashkimi Evropian ka konfirmuar pranimin e një versioni përfundimtar të letrës nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, përmes së cilës ishte zotuar se Serbia nuk e zbaton nenin që obligon palët të mos e pengojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare. Megjithëse nuk e kanë zbardhur përmbajtjen finale të dokumentit, në BE kanë thënë se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi për zbatimin e saj janë obliguese.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj.
Ishte Serbia që përmes një letre nga kryeministrja Ana Bërnabiq, e njoftoi BE-në se nuk merr përsipër zbatimin e të gjithë marrëveshjeve.
Serbia ka kundërshtuar nenet që i kërkojnë të mos e pengojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Në përgjithësi, ne nuk e komentojmë përmbajtjen e korrespondencës me BE-në. Megjithatë, mund të konfirmojmë se BE-ja ka marrë një version përfundimtar të letrës nga kryeministrja serbe, Bërnabiq. Bashkimi Evropian përsërit se Marrëveshja është e detyrueshme në tërësinë e saj për të dyja palët. Zbatimi i saj do të jetë pjesë integrale e rrugës së tyre përkatëse evropiane. Marrëveshja me aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, të datës 18 mars 2023. Ky ka qenë qëndrimi konsistent i BE-së, i cili gjithashtu është komunikuar publikisht në disa raste”, ka deklaruar Stano.
BE-ja pret nga palët që të demonstrojnë përkushtim serioz dhe përpjekje për të arritur kompromisin që çon përpara normalizimin e marrëdhënieve.
Por eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se reagimi i BE-së e SHBA-së karshi obstruksioneve të Serbisë, përfshirë moszbatimin e marrëveshjeve ka qenë i zbehtë.
“Në Kosovë, Beogradi e ka kaluar veten. Ai largoi serbët nga policia, gjykatat dhe administrata e Prishtinës në katër komunat veriore me shumicë serbe. Sponsorizoi një bojkot të zgjedhjeve komunale, organizoi turma për të protestuar kundër zgjedhjes së kryetarëve joserbë dhe për të sulmuar paqeruajtësit e NATO-s, trajnoi dhe pajisi një operacion terrorist më 24 shtatorit që synonte të krijonte pretekstin për ndërhyrje ushtarake, mohoi vlefshmërinë e marrëveshjeve për të cilat SHBA-ja dhe BE-ja pretendojnë se janë ligjërisht të detyrueshme”, ka theksuar Serwer.
Në mungesë të rezultateve në dialog, liderët e Kosovës në disa raste e kanë përsëritur se prioritet është siguria në vend duke paralajmëruar se Serbia po përgatit sulm tjetër në veri, pasi atij në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.


