Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt të saj, në të cilat ka miratuar disa rregullore, udhëzime administrative, e projektligje.
Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe bordi i ri i SHSKUK-së, Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për Ekstradimin, etj.
Më poshtë mund t’i gjeni të gjitha pikat që u miratuan sot në Qeveri:
Projekt-rregullorja për Zëvendësimin apo Mungesën e Përkohshme nga Puna e Nëpunësit Civil. Kjo Rregullore përcakton rregullat dhe procedurat për plotësimin e pozitës në rast të nevojës të zëvendësimit apo mungesës së përkohshme nga puna, të një nëpunësi civil.
Udhëzimi Administrativ për Shitjen e të Dhënave Statistikore. Me këtë Udhëzim Administrativ përcaktohet mënyra dhe kushtet e shitjes së të dhënave statistikore, kryerja e shërbimeve të veçanta për shfrytëzues të ndryshëm, llogaritja e shpenzimeve (profesionale dhe operative) për kryerjen e tyre, si dhe mënyra e përdorimit të të hyrave të fituara me shitjen e të dhënave statistikore nga ASK dhe prodhuesit e tjerë të statistikave zyrtare.
Udhëzimi Administrativ për Mbrojtjen e të Dhënave Statistikore dhe Qasjen në të Dhëna Mikro. Me anë të këtij Udhëzimi Administrativ përcaktohen masat për mbrojtjen e të dhënave statistikore si dhe kushtet dhe të drejtat e përdoruesve për lejimin e shfrytëzimit të të dhënave të fshehta statistikore.
Vendimi për aprovimin e ndarjes së mjeteve buxhetore për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë sipas Planit të Zbatimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike. Për këtë qëllim janë ndarë mjetet në vlerë prej dhjetë milionë euro. Mjetet e ndara transferohen te Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe do të përdorën për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike.
Vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për zbatimin e pikës 1.1 të Vendimit të Qeverisë Nr.31/99, në kuadër të Masës 3.7 – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Nëntë milionë euro janë ndarë për zbatimin e vendimit për mbështetjen e tejkalimit të krizës energjetike në kuadër të pakos së Ringjalljes ekonomike. Vendimi gjithashtu aprovon bartjen e shpenzimeve aktuale të realizuara deri në fund të muajit shkurt 2023 në vlerën prej tetë milionë e dyqind e shtatëdhjetë e dy mijë eurove.
Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 19.10.2020 ka nxjerrë Vendimin Nr. 05/36 me anë të të cilit ka ndaluar procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në vartësi të tyre përmes procedurave të prokurimit publik.
Vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes për Financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin për “Forcimin e Qeverisjes Digjitale për Ofrimin e Shërbimeve”.
Kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme për ndarjen e mjeteve buxhetore për financimin e Projektit “Sistemi i monitorimit elektronik”, për vitin 2023. 600 mijë euro janë ndarë për këtë qëllim.
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për Zbatimin e Ndërsjellë të Aktgjykimeve në Çështjet Penale.
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sllovenisë për Ekstradimin.
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me dhunë gjatë luftës. Në shërbim të kësaj, po iniciojmë aderimin e Republikës së Kosovës në ICMP. Kjo nismë shton mundësitë për rritje të bashkëpunimit rajonal e më gjerë, në procesin e ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me dhunë.
Vendimi me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me Kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës me Nr. 689 të datës 20 prill 2023 jep mendim lidhur me Nismën Legjislative “Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës”. Qeveria ka vlerësuar nismën dhe ka rekomanduar miratimin e tij, Ky Ligj ka për qëllim që të përcaktojë rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë edhe rregullat e përgatitjes, zhvillimit, administrimit, mbikëqyrjes, dhe shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Vendimi për ndarjen e mjeteve për zbatimin e Pakos për Ringjallje Ekonomike, për masat e mbështetjes së punësimit të grave, likuiditetin familjar.
Plotësim ndryshimi e Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe me masën për mbështetjen e punësimit të punëkërkuesve nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.
Vendimin për zbatimin e masës së re në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, mbështetja e punësimit të punëkërkuesve nga radhët e komuniteteve jo shumicë, janë ndarë fillimisht tre (3) milion euro.


