16.5 C
Sterling Heights
17/10/2025, 20:25
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Në Dibrën e kulturës, koncert madhështor kushtuar mërgimtarëve

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaKultureNë Dibrën e kulturës, koncert madhështor kushtuar mërgimtarëve

Nga Eglantina Alliaj

Stafi i Portalit “Vizion.com.al” udhëtoi këtë të martë më 29 korrik drejt Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut, ku në mbrëmje u mbajt një koncert madhështor të titulluar “Prej dibranëve, për dibranët”. Ky koncert u organizua nga Komuna e Dibrës së Madhe, nën kujdesin e kryetarit të Komunës Hekuran Duka dhe stafit të tij, për mërgimtarët, dhe për banorët e kësaj treve, një iniciativë që tashmë është kthyer në traditë.

 

29 korrik 2025-Udhëtimi ynë nga Tirana drejt Dibrës së Madhe, në Maqedoninë e Veriut zgjati rreth një orë e 30 minuta, një kohë e shkurtër në krahasim me vitet e kaluara, dhe kjo falë rrugës së Arbrit, një rrugë e cila ka shkurtuar kilometra të tërë dhe ka afruar pjesën tjetër të shqiptarëve të Maqedonisë me Shqipërinë. Në zyrë na pret kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe, zoti Hekuran Duka, me shumë dashamirësi për mediat dhe gazetarët shqiptarë. Pasioni për punën, për zhvillimin e kësaj treve shqiptare, për ndryshimet, dhe dashuria për qytetin e tij, dallohej qartë në çdo moment të bisedës tonë. Por diskutimi ynë u përqëdrua më shumë tek koncerti, për të cilën kishim shkuar. Zoti Duka e quajti jo thjesht një koncert, por një festë mirëseardhjeje për mërgimtarët që jetojnë në çdo cep të globit, por çdo verë, ata kthehen në vendlindjen e tyre.

“Ne mërgimtarëve ju urojmë me zemër dhe shpirt mirëseardhjen, dhe për këtë ne zhvillojmë aktivitete të ndryshme sportive, pasi kordinohemi me shoqatat që janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjërat më të bukura dhe të mira i ndajmë bashkarisht, dhe i ndajmë këtu në Dibër. Tre vitet e fundit së bashku me shoqatën kulturore, Dibra e Madhe ne si komunë kemi arritur të realizojmë aktivitete kulturore artistike. Nga vitet e fundit nga financimi i Komunës Dibër bëhet dhe koncerti nga Dibranët për dibranët, ku është koncert festiv me këngë popullore, ku janë pjesëmarrës artistët me prejardhje dibrane dhe vet dibranët, bëjmë një dasëm, një miting të përbashkët për të uruar mirëseardhjen edhe qëndrim të këndshëm në komunën e Dibrës. Kemi aktivitete sportive si basketbolli, pastaj turneun e futbollit. Dibra ka më së shumti nevojë që ata të rrinë këtu, por ata që kanë emigruar në shtete të ndryshme, jetën e zhvillojnë andej. Kjo tragjedi, ky kurbet mos përsëritet më. Por ata që vijnë do tu themi që Dibra nuk do të shuhet asnjëherë, do vazhdoj të jetë qendra e kulturës, e traditës, e historisë, arsimit, Dibra mbetet ajo që është”-nënvizoi kreu i Komunës së Dibrës së Madhe, zoti Hekuran Duka.

U larguam nga Komuna dhe zyra  e kryetarit, për të vizituar qendrën e qytetit në ato pak orë në shoqërinë e Drejtorit për Arsim, Kulturë dhe Sport  zotit Maliq Disha, që kishte menduar për organizmin e këtij eventi të rëndësishëm në çdo detaj. Një fundkorrik i freskët në Dibër të Madhe, por një entuziazëm i madh për këtë koncert. Mikëpritja e njerëzve në këtë qytet për miqtë, apo mysafirët nuk mundon asnjëherë. Dibra gjallëron në muajt korrik-gusht, të rinj dhe të reja kishin mbushur rrugët kryesore, baret, restorantet, dyqanet, gjithçka. Tjetër realitet. E teksa zemra të bëhej mal, kur shikoje këtë rini të bukur, të mirë, të zgjuar që i kishin dhënë gjallëri dhe jetë këtij qyteti, po ashtu të kap një trishtim, kur mendon se ata dikur ikin, dhe vazhdojnë jetën e tyre në vendet ku punojnë e jetojnë në mërgim.

Teska afrohej ora e koncertit, Shëtitorja “Haxhi Vehbi Dibra” nisi të mbushej me njerëz, plot entuziazëm, i gjithë qyteti pothuasje ishte aty, për të festuar, kënduar dhe të dëgjuar zërat brilantë të skenës shqiptare. Me këngë tradicionale dibrane, por edhe patriotike – kryesisht kushtuar Dibrës dhe kombit shqiptar, u prezantuan këngëtarët e njohur Vera Laçi, Haxhi Maqellara, Arif Vladi, Liri Rasha, Valbona Halili, Ingrit Jushi, Dritan Jashari, Muharem Borova, Qanie Skenderi, Tiron Alili, anëtarët e Shoqërisë Kulturo-Artistike “Dibra e Madhe” etj. si dhe humoristi Muharem Hoxha nga Durrësi me prejardhje dibrane kënaqën të pranishmit. Moderatori i njohur dibran, Dëfrim Methasani nga RTSH, me prezantimin e tij profesional bëri një atmosferë të veçantë edhe në koncertin e këtij viti, ashtu siç ishte edhe viteve të tjera. Një koncert i cili zgjati disa orë dhe u ndoq nga një numër i madh i banorëve dhe mërgimtarë nga Dibra dhe Peshkopia, ku çdo këngë, valle këndohen e kërcehej nga të gjithë. E gjithë Dibra në festë.

Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka i cili pranoi Mirënjohje nga shoqata dibrane me seli në Tiranë e kryesuar nga Sajmir Shatku, tha se programet e këtilla kanë një domethënie shumë të madhe për mërgimtarët, por jo vetëm. Ai shtoi se është kënaqësi të kemi mërgimtarë dibran nga shumë shtete të botës, dhe bashkë me ata të dëfrehemi duke dëgjuar këngëtarët më të mirë dibran dhe mbarëshqiptarë. Përfaqësuesi i shoqatës dibrane nga Tirana, Sajmir Shatku duke përshëndetur këtë event kulturor, tha se mërgimtarët janë shumë të rëndësishëm për Dibrën dhe dibranët pa marrë parasysh se ku gjenden ata.

Emocione nga të pranishmit, por edhe nga vet këngëtarët.

Koncerti madhështor “Prej dibranëve për dibranët” u organizua nga Komuna Dibër, në kuadër të Programit kushtuar manifestimit “Vera dibrane 2025”. Faleminderit Komunës Dibër, dibranëve, këngetarëve dhe organizatorëve për këto emicione të papërsëristshme që na dhuruan të gjithëve ne që ishim të pranishëm aty, në zemër të qytetit, të këtij qyteti që mbart vlerë, histori, traditë, kulturë. Faleminderit Dibra e Madhe!

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img