11.1 C
Sterling Heights
05/10/2026, 5:29
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Nga kuota gjinore te aksesi në financa

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaLajmeNga kuota gjinore te aksesi në financa

Foto ilustruese me AIFoto ilustruese me AI

Nga EGLANTINA ALLIAJ

Kuoatat gjinore në Shqipëri janë përdorur si instrument për rritjen e përfaqësimit të grave në vendimmarrjen lokale dhe atë qendrore. Kuota gjinore 30% u institucionalizua në Shqipëri në vitin 2008, përmes Ligjit nr. 9970, datë 24 korrik 2008, “Për barazinë gjinore në shoqëri”, dhe u konkretizua në sistemin zgjedhor përmes Kodit Zgjedhor të miratuar me ligjin nr. 10 019, datë 29 dhjetor 2008. Sot pas gati 18 vitesh, pyetja që ngrihet është: a kanë gratë burimet dhe fuqinë reale për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në politikë, dhe a mjafton kuota numerike nëse gratë nuk kanë akses të barabartë në burimet financiare dhe organizative të partive?  Gratë janë të pranishme në parti dhe në lista zgjedhore, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kanë akses të barabartë në burime financiare, vendimmarrje dhe pozicione drejtuese.

Akses i kufizuar në financim

Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 2025 në Shqipëri evidenton se gratë përbënin 38.5% të kandidatëve të regjistruar dhe 36% të deputetëve të zgjedhur, por njëkohësisht identifikon aksesin e kufizuar në financim dhe dobësitë e demokracisë së brendshme të partive si barriera strukturore. “Pjesëmarrja politike e grave është rritur vitet e fundit, megjithatë përparimi i tyre mbetet i kufizuar nga barriera strukturore të rrënjosura, veçanërisht nga demokracia e dobët e brendshme partiake dhe qasja e kufizuar në financim. Gjithsej 38,5 për qind e kandidatëve të regjistruar ishin gra; kjo shifër përmbushte kërkesën për kuotën gjinore prej 30 për qind, por tregonte gjithashtu nevojën për vullnet më të madh politik për të nxitur më tej pjesëmarrjen e grave. Numri i grave të zgjedhura në parlamentin e ri ishte i njëjtë me atë të parlamentit të mëparshëm, ku 36 për qind e anëtarëve të zgjedhur ishin gra. Rekomandimet kryesore të ODIHR-it lidhur me financimin e fushatës mbeten të pazbatuara, ndërsa mangësitë në kuadrin rregullator ndikuan negativisht te transparenca e financimit të fushatës dhe te barazia e mundësive për partitë dhe kandidatët”-citohet në këtë raport.

Barazi dhe përfaqësim

Financimi i posaçëm mund t’u japë grave burime për trajnime, organizim, zhvillim politik dhe pjesëmarrje në vendimmarrje. Në këtë mënyrë, fondet nuk shërbejnë vetëm si mekanizëm financiar, por edhe si instrument për përmirësimin e përfaqësimit të grave në strukturat politike. Fondet mund të përdoren për trajnime politike, edukim elektoral, zhvillim të lidershipit, mentorim, komunikim publik, përgatitje të kandidateve, kërkim politik, fushata,  rrjetëzim, mbështetje për gratë e reja në politikë. Pra, financimi nuk është thjesht çështje kontabiliteti, por ndikues në kapacitetin politik të grave.

 

Mungesa e financimit, pabarazi reale dhe konkurrenca

Të hysh në garën politike pa burime financiare do të thotë të kesh të drejtën formale për të konkurruar, por jo domosdoshmërisht mundësinë reale për të qenë konkurruese.

“Mbështetja financiare është pengesa kryesore për mungesën e pjesëmarrjes së gjerë të gruas në politikë. Fushatat me shumë kosto finaciare dhe pamundësia në të njëjtat kushte të dy gjinive në zgjedhje janë pengesë e vazhdueshme. Pengesa kryesore është faktori burrë që kontrollon vendimarrjen përfundimtare në parti dhe nuk dëshiron një kontroll të financave partiake nga gratë. Fuqizimi i gruas natyrisht është një e mirë publike për shoqërinë, por një pengesë për burrat jo konkurrues”. Kështu është shprehur Dhurata Çupi, ishe deputete e Parlamentit Shqiptar (PD). Ajo thekson se votat preferenciale që një kandidat të kapërcejë renditjen fillestare të listës në zgjedhjet e fundit parlamentare, treguan që burrat patën përparësi, ndërsa gratë pothuajse ishin në të njëjtin nivel votimi.

 

Propozimi për përqindje të dedikuar

Rrjeti “Barazi në Vendimmarrje” është fokusuar me studime, raporte dhe analiza lidhur me aksesin individual të grave kandidate në financat e fushatës drejt shqyrtimit të financimit institucional të barazisë gjinore brenda partive politike. Studimi “Gratë, Paratë dhe Politika” (2018) evidentoi problemin e aksesit të grave kandidate në financat politike, ndërsa “Barometri i Barazisë Gjinore në Partitë Politike” evidentoi më tej mungesën e aksesit të forumeve të grave në burimet financiare të partive. Në vitin 2023, Rrjeti e zgjeroi këtë qasje përmes analizës së financimit publik me targetim gjinor në Ballkanin Perëndimor. Këto gjetje mbështesin idenë se barazia gjinore në politikë nuk mund të trajtohet vetëm përmes kuotave të përfaqësimit, por kërkon edhe mekanizma financiarë që garantojnë akses të matshëm, transparent dhe të kontrollueshëm të grave në burimet e partive politike. Në një analizë të bazuar në punën e Rrjetit, Edlira Çepani është shprehur se tre studime dhe një fokus-grup të realizuara nga Rrjeti kanë evidentuar se gratë dhe vajzat nuk kishin akses të mjaftueshëm në financat politike, si gjatë fushatave ashtu edhe brenda strukturave partiake, përfshirë forumet e grave. Në këtë kuadër, Rrjeti Barazi në Vendimmarrje ka propozuar “Integrimin e perspektivës gjinore në partitë politike”, duke synuar mbështetje më të drejtpërdrejtë për gratë dhe vajzat brenda partive. Një nga propozimet kryesore është që të paktën 10% e financimit publik që përfitojnë partitë politike t’u kalojë drejtpërdrejt strukturave të grave, për fuqizimin e tyre, rritjen e kapaciteteve dhe mbështetjen në fushatat zgjedhore. Propozimi parashikon që shpenzimet për këtë fond të raportohen veçmas pranë KQZ-së.

Reforma aktuale e financimit politik

Në vitin 2026, Komisioni i Venecias dhe Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit të Këshillit të Evropës miratuan një opinion të përbashkët mbi projektligjin shqiptar “Për financimin e partive politike”. Edhe OSBE/ODIHR ka publikuar në prill 2026 një opinion të ndërmjetëm mbi projektligjin shqiptar për financimin e partive politike. Ndërkohë, në mars 2026, KQZ u përfshi në konsultimet për reformën dhe theksoi nevojën për transparencë, llogaridhënie dhe barazi në garën politike. Kjo e bën reformën e financimit politik një mundësi për të diskutuar jo vetëm mënyrën se si kontrollohen të ardhurat dhe shpenzimet e partive, por edhe mënyrën se si burimet publike dhe private shpërndahen brenda tyre. Nëse reforma synon të rrisë transparencën, një nga elementet që mund të shqyrtohet është raportimi më i detajuar i përdorimit të fondeve sipas strukturave dhe objektivave, përfshirë masat për barazinë gjinore.

 

Pa para, barazia mbetet në letër

Në politikë, aksesi në financa përcakton në një masë të konsiderueshme mundësinë për të zhvilluar fushatë, për të komunikuar me zgjedhësit dhe për të ndërtuar një profil politik.

Kuotat përcaktojnë sa gra duhet të jenë në garë. Financimi përcakton, në një masë të rëndësishme, me çfarë burimesh hyjnë në atë garë. Nëse synohet një pjesëmarrje reale dhe jo vetëm formale e grave në politikë, diskutimi mbi përfaqësimin duhet të përfshijë edhe diskutimin mbi aksesin në burime. Një fond i dedikuar mund të jetë një instrument për këtë qëllim, por vetëm nëse shoqërohet me transparencë, raportim dhe mekanizma të qartë llogaridhënieje.

Përmes përcaktimit të qartë të burimeve financiare, rregullave të përdorimit të fondeve, raportimit periodik dhe mekanizmave të auditimit, bëhet më e lehtë të monitorohet mënyra se si partitë menaxhojnë burimet e destinuara për promovimin e pjesëmarrjes politike të grave. Njëkohësisht, financimi i tillë mund të rrisë autonominë organizative të forumeve të grave dhe të krijojë kushte më të favorshme për pjesëmarrjen e tyre në proceset vendimmarrëse. Megjithatë, efektiviteti i këtyre fondeve varet nga transparenca e procedurave, pavarësia e mekanizmave të kontrollit dhe publikimi i informacionit financiar.

Sepse përfaqësimi numerik nuk garanton automatikisht fuqizim real politik.

 

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img