Të martën në Ambasadën amerikane në Prishtinë u mbajt një takim në të cilën u diskutua për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nikoqiri i takimit, ambasadori Jeffrey Hovenier theksoi se nuk mbështesin asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës.
“Demokracia përfshirëse kërkon shkëmbim të ideve me respekt. Ne e organizuam këtë diskutim me një sërë palësh të interesuara për të dëgjuar larminë e pikëpamjeve për këtë temë dhe për të kërkuar gjuhë të përbashkët, me qëllim të lehtësimit dhe avancimit të obligimeve që Qeveria e Kosovës i ka marrë për zbatimin e një AKShS-je”, ka deklaruar Hovenier.
Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier
Sipas njoftimit të lëshuar nga Ambasada amerikane, bëhet e ditur se në këtë takim kanë dëgjuar drejtpërdrejtë pikëpamjet e pjesëmarrësve për zbatimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe dhe si mund të arrihet kjo në mënyrë që të sigurojë të ardhmen e Kosovës si vend sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik.
Hovenier ka theksuar se “partneriteti ynë me Kosovën është i palëkundur”.
“Diskutimi ynë i sotshëm pasqyroi miqësinë tonë të thellë dhe të gjatë me popullin e Kosovës. Donim të kuptonim këndvështrimet e pjesëmarrësve për një AKShS: çka do të mund të ishte dhe si mund të ofrojë shërbime për qytetarët e Kosovës, por gjithashtu edhe çfarë kapacitetesh nuk mund dhe nuk do të duhej t’i ketë”, ka deklaruar Hovenier.
Sipas njoftimit thuhet se diskutimi u përqendrua në tri tema: një, si mund të funksionojë AKShS-ja në praktikë?
Dy, si mund të funksionojë një Asociacion sipas kornizës ligjore të Kosovës?
Dëgjuam këndvështrime për Marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.
Tre, si mund një AKShS të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe ofrimin efikas të shërbimeve qeveritare për serbët e Kosovës dhe komunitetet tjera pakicë
Dëgjuam pikëpamje se si një AKShS mund të ndihmojë në adresimin e çështjeve dhe nevojave që janë themelore për çfarëdo komuniteti, si për funksionet për cilat të gjitha komunat e Kosovës janë përgjegjëse, si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe zhvillimi ekonomik lokal
Edhe pse disa zyrtarë të ShBA-së tashmë e kanë thënë këtë, dëshiroj që sërish të qartësoj sërish qëndrimin e Shteteve të Bashkuara. Nuk mbështesim asnjë aranzhim që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 e as që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik dhe institucionet demokratike të Kosovës. Kundërshtojmë fuqimisht krijimin e çfarëdo entiteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”, ka deklaruar Hovenier.
MAmbasadori ka shtuar se presin që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj.
“Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë vizionin e saj për një AKShS që ajo beson se e mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, shumetnik dhe demokratik dhe që siguron të drejtat e pakicave në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kjo është thelbësore, e rëndësishme dhe urgjente. Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të të gjithë kosovarëve”, u shpreh Hovenier.
Pas përfundimit të takimit janë deklaruar edhe nga PDK-ja, pastaj nga Asociacioni i komunave të Kosovës, ministri Nenad Rashiq, etj
Tutje në njoftim thuhet se PDK vlerëson lartë angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat më të rëndësishme të vendit, nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi.
“Qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me dialogun janë të qarta, publike dhe konsistente.
Rrjedhimisht, PDK në vazhdimësi i ka dhënë mbështetjen e nevojshme dhe e ka inkurajuar Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.
Tutje, drejtori i AKK-së tha se në takim është vërejtur gatishmëri për të gjetur zgjidhje për çështjen e Asociacionit.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrësit në takimin e organizuara nga Ambasada amerikane diskutuan për kornizën politike dhe ligjore të Asociacionit dhe se “diskutimi ishte interesant”.
“Ka pasur replika dhe mendime të ndryshme, por, në përgjithësi, mendoj se cilësia e bisedimeve ka qenë në nivel të lartë”, tha Rashiq, pa dhënë detaje./Telegrafi/


