Nxënësit dhe prindërit e tyre, si dhe drejtues të shkollave, po kërkojnë që shujtat të rikthehen për nxënësit e Komunës se Prishtinës, duke vlerësuar se ushqimi që marrin ata, është i sigurt, por edhe krijon barazi te nxënësit.
Drejtues të Komunës se Prishtinës, kanë bërë të ditur se janë në proces të përgatitjes së draft/planit për shujtat e nxënësve.
Të rëndësishme e shumë të nevojshme këtë gjë po e sheh edhe drejtoresha e Shkollës fillore “Ismail Qemaili” në Prishtinë, Mimoza Krasniqi. Ajo tha se përvoja e më hershme kur komuna ka siguruar shujtat për nxënësit ishte pozitive, pasi që ka siguruar edhe barazi te nxënësit.
Drejtoresha e Arsimit, në komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati në një përgjigje me shkrim tha se janë në proces të përgatitjes së planit për shujtat e nxënësve.
“Aktualisht, jemi në proces të përgatitjes së draft/planit për shujtat e nxënësve. Për detaje të tjera ju njoftojmë në momentin që përfundon procesi”, thuhet në përgjigje.
Edhe psikologët, shpërndarjen e shujtave po e vlerësojnë shumë pozitive, pasi marrja e ushqimit i ndihmon fëmijët të koncentrohen në mësim, ndërsa rëndësi e veçantë është se ushqimi është i kontrolluar dhe eliminon pabarazitë në mes të nxënësve.
Aktualisht në Kosovë, disa komuna vazhdojnë të shpërndajnë shujta ushqimore për nxënësit nga klasa e parë deri në të 5-ën


