Reshjet e dendura të dëborës gjatë natës kanë shkaktuar rënie ortekësh në zonën e Qafë Thores, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin rrugor drejt dhe nga Thethi. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, segmenti pranë tuneleve panoramike ka qenë i pasigurt dhe i mbyllur për të gjitha automjetet për shkak të rrezikut të vazhdueshëm nga ortekët.
Me uljen e intensitetit të reshjeve, strukturat kompetente kanë nisur punën intensive me mjete të specializuara për pastrimin dhe zgjerimin e rrugës. Aktualisht, zona e tuneleve panoramike është pastruar, duke lejuar rikthimin e qarkullimit drejt Thethit dhe nga Thethi, por me kujdes të shtuar.
Autoritetet bëjnë thirrje që drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të respektojnë udhëzimet për kushtet e vështira atmosferike dhe praninë e akullit. Mjetet dhe personeli përgjegjës mbeten në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast të përkeqësimit të motit.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


