Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se javëve të fundit janë njoftuar se disa shtete kanë kërkuar të mbeten në fuqi masat e Bashkimit Europian të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023.
Megjithatë, në emisionin “Kallxo Përnime”, ajo theksoi se Gjermania është pro heqjes së masave.
Osmani nuk ka pranuar të përmendë këto shtete duke thënë se për shkak të diskrecionit diplomatik është më mirë të mos përmenden.
“Ne na duhet me i bindë ato shtete dhe jo me i sulmu”- ka thënë ajo në intervistën ekskluzive për “KALLXO Përnime”.
Ndërsa, u shpreh që “nuk ka takim, nuk ka angazhim, nuk ka telefonatë, nuk ka samit ndërkombëtar që kjo nuk është çështja themelore të cilën e diskutoj”.
“Ka shumë sentiment kundër brenda Bashkimit Europian, sepse përkundër faktit që Kosova është 100% në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Europian, qoftë politika të sanksioneve, qoftë vendime të tjera që i merr BE-ja, nganjëherë mezi presin një mospajtim sado të vogël me e gjetë që me u blloku vendimmarrja”- ka thënë ajo.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët e rinj nisën punën e tyre në komunat në veri, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga serbët lokalë.


