Presidentja Vjosa Osmani, gjatë homazheve që ka bërë të dielën bashkë me ambasadorët e akredituar të shteteve aleate te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s, në 25-vjetorin e fillimit të intervenimit të aleancës, i ka falënderuar këto shtete që “nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve që ndodhej populli i Kosovës atëkohë”.
Në një deklaratë për media pas homazheve, Osmani ka thënë se beson që shumë shpejt Kosova do të ulet në NATO krah këtyre miqve dhe do t’ua kthejë borxhin duke ndihmuar në vende tjera.
“Faleminderit përjetësisht NATO-s. Kosova besoj shumë shpejt do të ulet në NATO përkrah miqve që na qëndruan pranë në momentet më të vështira dhe do ta kthejë këtë borxh duke ndihmuar në vendet e tjera, siç po ndihmon edhe sot ushtria jonë”, ka thënë Osmani
Sipas saj, 24 marsi është shndërruar në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike.
“Kjo ditë e shpresës së madhe u shndërrua në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike, aleanca që edhe sot vazhdojnë prandaj edhe sot jam shoqëruar nga ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve mike, shteteve që edhe sot qëndrojnë pranë Kosovës jo vetëm më 24 mars të 99’s, por edhe sot kur ne po përballemi me sfida të shumta për ta fuqizuar Kosovën edhe ndërkombëtarisht. Dua edhe një herë në emër të popullit të Kosovës, t’i falënderoj nga zemra secilin nga ushtarët e NATO-s që e rrezikuan jetën e tyre në mënyrë që ta shpëtojnë tonën. I falënderoj të gjithë liderët të shteteve demokratike që nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit të Kosovës, por na dolën zot, na erdhën në shpëtim dhe edhe sot qëndrojnë pranë nesh përderisa ne punojmë bashkërisht që Kosova e sotme t’i bëjë qytetarët e miqtë e saj të mburren me sukseset në zhvillim e demokracisë, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, është shprehur ajo.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka shkruar në platformën “X” për homazhet që bëri te Memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës.
“Sot iu bashkova presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në memorialin e ushtarëve të rënë të NATO-s. Ne kujtojmë dhe nderojmë ushtarët e guximshëm që bënë sakrificën përfundimtare”, ka shkruar ambasadori amerikan Jeoffrey Hovenier, ndërsa ka kujtuar dy ushtarakët amerikanë Dave Gibbs e Kevin Richer
Osmani: 25 vjet më parë filloi shpëtimi i Kosovës nga shfarosja
Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar sulmet ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të ish-Jugosllavisë, të ndodhura 25 vjet më parë.
Osmani e ka falënderuar NATO-n, duke thënë se para 25 vjetësh ka filluar shpëtimi i Kosovës.
“25 vjet më parë, filloi shpëtimi i Kosovës nga shfarosja. Aleancat duhet t’i ruajmë po aq sa edhe lirinë! Faleminderit përjetësisht NATO”, ka shkruar ajo në Facebook.
Më 24 mars të vitit 1999 nisi fushata bombarduese, për çka kishte dhënë urdhër presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.
Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.


