Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka realizuar një vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, ku ka takuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Krasniqi tha se ka gjetur ish-krerët e UÇK-së me moral të lartë dhe me besim të patundur në të drejtën e tyre.
“Pas gati gjashtë muajsh, sot vizitova përsëri Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli në Hagë. I gjeta ashtu siç i kisha lënë herën e fundit: me moral të lartë dhe besimplotë në të drejtën e tyre, në të drejtën e Kosovës dhe në të drejtën e luftës së shenjtë të popullit tonë për liri”, shprehet Krasniqi.


