Edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka shkruar për takimin e ditës së hënë planifikuar të mbahet në Bruksel.
Pacolli përmes një shënimi në Facebook thotë se me shumë gjasa me 27 shkurt do të nënshkruhet dokumenti i famshëm, i njohur sot si dokumenti evropian.
“Kosova do të marrë përsipër obligimin e pashmangshëm për të jetësuar “Zajednicën” në këmbim të kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës. Me fjalë të tjera, situata do të dalë si një vit më parë; Nga kjo marrëveshje do të përfitojë Serbia, por edhe Kosova, dikush më shumë e dikush më pak. Serbia në mënyrë të pashmangshme fiton “Zajednicën” dhe do të sigurojë rrugën e saj drejt BE-së me njëfarë “vetëngushëllimi” për t’u distancuar nga Rusia, por jo për t’u ndarë”.
Deputeti opozitar në Kuvendin e Kosovës, tha se Kosova me këtë marrëveshje do të përfitojë liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe ndonjë njohje nga vendet e BE-së.
“Kosova nuk merr njohje nga Serbia, por përfiton nga të gjitha aderimet apo integrimet euroatlantike ku Rusia nuk ka prezencë (ndikim), si liberalizimi i vizave, Këshilli i Evropës etj., dhe ndoshta ndonjë njohje e ndonjë shteti anëtare e BE-së që ende nuk e ka njohur Kosovën”.
“Marrëveshja në fjalë me Serbinë duhet të nënshkruhet, ashtu siç do të bënte çdo qeveri para vitit 2021 (ndoshta me më pak trauma). Siç mund ta shihni, nënshkrimi i kësaj marrëveshje është krejtësisht kundër asaj që dikur kishte premtuar Kryeministri Albin Kurti, sa ishte në opozitë”.
“Sot, edhe pse në kundërshtim me premtimet e tij, është mirë që gjërat po shkojnë drejt një perspektive paqësore. Kjo marrëveshje paraqet një hap të madh drejtë zgjidhjës së problemit me Serbinë. Merita e madhe i takon miqve tanë tradicionalë SHBA-së dhe BE-së, të cilëve populli i Kosovës do t’u jetë përjetësisht mirënjohës”, ka shkruar tutje Pacolli./Telegrafi/


