Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përfunduar takimet me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ai është larguar nga objekti ku janë mbajtur takimet, por nuk është prononcuar për media.
Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi si dhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami.
Takimet e parapara për në orën 14:00 kanë nisur pas gjysmë ore për shkak se kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka arritur me vonesë.
Takime të tilla si Kurti ka zhvilluar ndaras edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, këto takime janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
Ndërsa, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosov-Serbi, Miroslav Lajçak para fillimit të takimeve tha se nuk negociojnë në mënyrën “merre ose lëre”. /Telegrafi/


