Të hyrat vetjake të komunave vazhdojnë të shkaktojnë bllokadë edhe në Kuvendin e Kosovës. Të hënën ka dështuar mbledhja e kryesisë për shkak të mungesës së kuorumit, që sipas opozitës, po ndodh për fajin e pushtetit. E kryeparlamentari Glauk Konjufca ka përmendur mundësinë që javën e ardhshme të zhbllokohen rreth 37.5 milionë eurot e dedikuara për komunat, në mënyrë që legjislativi t’i kthehet vendimmarrjes
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se punën e legjislativit po e vështirëson refuzimi i opozitës për të marrë pjesë në votime, e cila ka kushtëzuar me zhbllokimin e mjeteve vetanake të komunave.
“Situata mund të zgjidhet edhe me kërkesën që e kanë vendosur si kusht për pjesëmarrje në punët normale të Kuvendit nga ana e partive opozitave. Ata e kanë vendosur kusht çështjen e bllokimit të të hyrave vetanake të komunave dhe nëse kjo zgjidhet do të kemi punën shumë më të lehtë të Kuvendit. Krejt kjo sqarohet të hënën në mëngjes kur qeveria e ka mbledhjen dhe do të shohim nëse po e procedon atë plotësim ndryshim të ligjit. Pastaj do të mundësohet që thesari të veprojë në drejtim të zhbllokimit të mjeteve të cilat komunat pretendojnë se janë të tyre dhe janë edhe një e drejt kushtetuese dhe nuk mund t’i merr askush ato të hyra. Thjesht janë bllokuar për shkak të një mënyre si është formuluar një amendament në projektligjin për buxhetin, kështu që nëse kjo çështje zhbllokohet ne e patëm premtimin nga opozita që do ta ndryshojnë qasjen e tyre“, ka theksuar Konjufca.
Por përfaqësues të opozitës kanë theksuar se përgjegjësia për ta bërë kuorumin i takon mazhorancës.
“Sikur të kishim një qeveri efektive, sikur të kishim një kryeministër më efektiv, bllokimi i Kuvendit do të reflektonte në punën e Qeverisë. Pra fakti që kryeministrit nuk i bën përshtypje fare, kësaj qeverie nuk i bën përshtypje fare që agjenda e Kuvendit është e bllokuar – mund të imagjinoni se në çfarë situate e kemi qeverisjen në vend. Atyre nuk u ecën asnjë projekt as një arsim, as në sundim të ligjit, as të shëndetësisë. Ekonominë në buzë të kolapsit me një inflacion jashtëzakonisht të madh, me paga që qytetarët nuk ia arrin t’ia dalin muaji, muajin….opozita nuk është ajo që i bën numrat në Kuvend, sepse sikur t’i kishim numrat, ne nuk do të ishim në opozitë por në pozitë”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar se bllokimi i Kuvendit nuk është me fajin e opozitës. “Zhbllokimi i Kuvendit mund të ndodhë vetëm në qoftë se ndryshon qasja e Qeverisë, respektivisht Ministrisë së Financave në raport me të hyrat vetanake të komunave të ndodhë. Komunat lëre që nuk po mund ta shfrytëzojë buxhetin që e ka bllokuar në konton e Qeverisë, por ajo do të marrë buxhet edhe prej komunave që e kanë të vetmen mundësi të zbatimit të projekteve të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Tahiri
Kontesti për 37.5 milionë eurot e bllokuara për komunat u diskutua javën e shkuar në takimin e përfaqësuesve lokalë me ata të Qeverisë. Zyrtarë qeveritarë insistojnë se me vendimin për kthimin e mjeteve të mbetura ndër vite në buxhetin qendror, vetëm i kanë zbatuar amendamentet që kanë kaluar në Kuvend.


