Tiranë – Në një deklaratë të prerë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka paralajmëruar se të gjitha subjektet tregtare të vendosura pranë akseve rrugore kombëtare duhet të spostohen vullnetarisht brenda muajit korrik, duke respektuar distancën minimale prej 3 metrash nga kanali i rrugës. Sipas saj, pas këtij afati, do të nisë një aksion i gjerë për lirimin e rrugëve dhe penalizimin e bizneseve që shkelin kriteret ligjore të ndërtimit, me gjoba të konsiderueshme dhe ndërhyrje fizike.
”Subjektet tregtare që rrezikojnë sigurinë rrugore duhet të marrin të gjitha masat për të zbatuar kriteret ligjore që përcaktojnë distancën 3 metra nga kanali i rrugës. Brenda muajit korrik duhet të kenë liruar vullnetarisht territoret. Pas këtij afati do të nisë aksioni për lirimin e akseve rrugore dhe subjektet do të gjobiten. Zero tolerancë për të gjitha subjektet që, jashtë çdo kriteri, janë vendosur pranë rrugëve, duke u kthyer në rrezik për përdoruesit e tyre”, deklaroi Balluku.
Por kjo fushatë e “zero tolerancës” vjen me një hipokrizi të thellë politike, pasi për më shumë se një dekadë, vetë qeveria ka mbyllur sytë – dhe shpeshherë ka nxitur heshturazi – ndërtimet informale, kioskat, lavazhet apo lokalet përgjatë rrugëve kryesore. Me heshtjen e institucioneve, këto biznese jo vetëm që u toleruan, por në shumë raste u përdorën edhe si mjet për të mbushur xhepat e zyrtarëve vendorë, përmes ryshfeteve, qirave të paligjshme apo “lejeve” të dhëna në kundërshtim me çdo normë.
Tani që infrastruktura kërkon pastrim për projekte të reja apo tenderë publikë, pronarëve të këtyre subjekteve – shumë prej të cilëve kanë investuar kursimet e jetës – u kërkohet të ikin në 7 ditë, si të ishin fajtorë për një situatë që u ndërtua me bekimin (ose indiferencën) e vetë shtetit. Ndërsa nevoja për siguri rrugore është reale, trajtimi i qytetarëve si të paligjshëm, pa u ofruar zgjidhje reale apo kompensim, ngre pikëpyetje të mëdha mbi drejtësinë, transparencën dhe qëllimet e këtij aksioni.
Ky është një tjetër rast ku pasoja i bie të dobëtit, ndërsa përgjegjësia institucionale, si gjithmonë, zhduket në heshtje.
Foto nga Google Images
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA


