Qeveria e Kosovës ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
“Mbi të gjitha, kërkohej një vendim i arsyeshëm, fatkeqësisht jo i drejtë në plotninë e tij. Por me gjithë këtë për të arritur një qëllim shumë madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët, ne duhet bërë hap përpara me maturi e përgjegjësi si vend i pavarur e sovran. Andaj sot i kemi thënë agjencionit kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Kushtetueses kurse ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se më 22 mars Komiteti i Asamblesë së Përgjithshme të KiE-së mban mbledhje të jashtëzakonshme, e kah mesi i prillit mblidhet Asambleja e Përgjithshme. Në fund të majit do të jetë mbledhja e Këshillit të ministrave që vendos për anëtarësimin e Kosovës ose jo.
Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje kishte zgjatur nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese pati vendosur në favor të Manastirit.
Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Supremes në vitin 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është gjykim i formës së prerë.
Para rreth tri vjetësh, Gjykata Kushtetuese deklaroi se vendimi i saj nuk është duke u zbatuar. Në këtë vendim, Kushtetuesja thekson se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për mosekzekutimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por që një vlerësim i tillë i takon Prokurorit të Shtetit, në pajtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Çështja e pronës në Manastirin e Deçanit kishte krijuar mosmarrëveshje me autoritetet lokale në Deçan, edhe për ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë. Punimet për ndërtimin e kësaj rruge fillimisht janë zhvilluar përmes Zonës së Mbrojtur të Manastirit dhe janë ndërprerë disa herë me kërkesë të Qeverisë së Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Ndërkaq para rreth katër vjetësh, një Këshill i përbërë nga përfaqësues të Qeverisë, Kishës Ortodokse Serbe dhe bashkësisë ndërkombëtare, kishin miratuar një marrëveshje për ndërtimin e një rruge alternative.
Kurti ka kritikuar heshtjen ndërkombëtare për djegien e lokaleve të nënkryetares së Zveçanit. Heshtja e tillë, sipas Kurtit, është dekurajuese për viktimën e inkurajuese për agresorin.
Ai ka ndërlidhur këtu edhe pamjet e terroristit Milan Radoiçiqi duke grushtuar ish-kryetarin e komunës paralele të Mitrovicës së Veriut e fotografinë e tij me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq.
“As këto nuk ndodhën në vakum. Në njërën anë, këto paraqesin përpjekjet e vazhdueshëm të Serbisë me Rusinë për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, por janë edhe pasojë direkt e mosndëshkimit të Serbisë për sponsorizimin dhe orkestrimin e sulmit terrorist të paramilitarëve të Serbisë në Banjskë. Milan Radoiçiqi është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi e nga Serbia”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ai ka thënë se Kosova ka dëshmuar se bën përpjekje për të shtrënguar e avancuar lidhjet me partnerët, në veçanti me SHBA-në.


