Kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i kujtojë sot Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) detyrat e tij, me një leksion të gjatë dhe “prindëror”, pas reagimit të këtij institucioni ndaj kritikave që ai bëri për disa vendime gjyqësore mbi zaptuesit e hapësirës publike.
Me tone të qarta zemërimi, Rama deklaroi se KLGJ “i ka rënë shumë gjatë”, duke u marrë me deklaratat e tij, ndërkohë që sipas tij duhet të merret seriozisht me gjyqtarët “që sillen si maliqër” dhe mbrojnë “ngrehina të paligjshme në mes të rrugës”.
Kryeministri, me gjuhën e tij tashmë klasike të gjatë dhe të mbushur me kritika të drejtpërdrejta, akuzoi KLGJ-në se “ka harruar detyrat kryesore”, duke lënë të kuptohet se ai vetë po i kujton rrugën e duhur. “Mos harxhoni kohën për të gjykuar se si e bëj unë punën time – ju e dini shumë mirë se kush më ka votuar mua – por përqendrohuni tek puna juaj, që sot lë shumë për të dëshiruar,” tha ai, duke u shndërruar për pak çaste në këshilltarin kryesor të drejtësisë shqiptare.
Rama gjithashtu theksoi me krenari se ai nuk është thjesht kryeministër, por “gjykatësi i përditshëm” i popullit shqiptar, të cilit i detyrohet llogari për çdo vendim. Ndërkohë, për KLGJ-në kishte vetëm këshilla miqësore: të mos merren me reagimet e tij, por të bëjnë drejtësi cilësore për Shqipërinë që synon anëtarësimin në BE.
Deklarata e Ramës mund të shihet si një leksion publik për një institucion të pavarur, ku kryeministri merr rolin e një arbitri suprem mbi të gjitha pushtetet. Dhe natyrisht, nuk mungon ironia: ai premton se do t’i drejtohet institucioneve përkatëse për çdo vendim të dyshimtë gjyqësor, ndërsa njëkohësisht i shpjegon KLGJ-së sesi të bëjë punën që, sipas tij, nuk po e bën mirë.
Në fund të reagimit të gjatë, Rama e mbyll me stilin e tij të zakonshëm: një paralajmërim i butë, por i qartë, se drejtësia duhet të funksionojë jo sipas dëshirave të gjyqtarëve “të pandjeshëm ndaj interesit publik”, por sipas vizionit të Shqipërisë 2030 në BE – një vizion që, siç duket, kalon edhe nga deklaratat e tij publike.

Reagimi i Ramës:
Lexova reagimin e KLGJ, organi më i lartë i vetëqeverisjes së gjyqësorit, lidhur me çka unë kam ndarë me publikun për disa vendime skandalozisht brutale në mbrojtje të zaptuesve të hapësirës publike dhe në dëm të rendit ligjor, interesit publik si edhe komuniteteve të cënuara drejtëpërdrejt nga këto vendime.
KLGJ i ka rënë shumë gjatë, duke harruar se roli i saj themelor është të shqetësohet për cilësinë e drejtësisë, si edhe të garantojë publikun se vendimet që merren nga gjykatësit në dëm të tij, nuk kalojnë pa u analizuar dhe gjykatësit nuk janë maliqër që bëjnë ç’të duan me ligjin në emër të pavarësisë.
KLGJ ka harruar gjithashtu se si instanca më e lartë e vetëqeverisjes së gjyqësorit, ka jo vetëm të drejtën po edhe detyrën të marrë seriozisht shqetësimet e palëve të cënuara nga vendime qorre të gjykatësve, të cilat në këtë rast janë të ububushme për nga mungesa e ndjeshmërisë ndaj interesit publik.
KLGJ ka harruar edhe të tjera gjëra më shumë rëndësi, por të paktën ka thënë një të vërtetë që më gjen shumë dakord, duke nënvizuar se “çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”, gjë për të cilën e kam informuar në çdonjërin nga rastet publikun, se do të bëjmë duke iu drejtuar pikërisht KLGJ dhe ILD si “institucionet përkatëse”.
Duke e mbyllur me kaq për sot, u them anëtarëve të KLGJ të mos harxhojnë kohën e tyre për të gjykuar se si e bëj unë punën për të cilën më ka votuar populli shqiptar – gjykatësi im i përditshëm të cilit unë nuk kam se si të mos ia shpjegoj hapur pse nuk largohen njësoj si të tjerat ca ngrehina të paligjshme në mes të rrugës, që marrin mbrojtjen e pajustifikueshme të ca gjykatësve të pandjeshëm ndaj interesit publik – po të përqëndrohet tek puna e vet, që gjermësot le shumë për të dëshiruar në funksion të Shqipërisë 2030 në BE🇦🇱🖐️🇪🇺
Foto nga Google Images
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA


