Qeveria shqiptare ka vendosur të japë me konçesion për 20 vjet dy nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore: Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe atë të Lëkurësit në Sarandë. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në këto dy kala do t’i kalojnë sektorit privat disa ambiente shërbimi për t’u shfrytëzuar në kuadër të një procesi që qeveria e quan “rijetësim”.
Kjo nismë parashikon dhënien me qera afatgjatë të hapësirave të caktuara brenda monumenteve, me qëllim – sipas qeverisë – të përmirësimit të shërbimeve turistike, promovimit të trashëgimisë dhe krijimit të një modeli të qëndrueshëm të mirëmbajtjes përmes partneritetit publik-privat. Megjithatë, reagimet nuk kanë munguar.
Detaje mbi konçesionin e kalave të Lëkurësit dhe Rozafës
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, konçesionet për dy nga monumentet historike më të rëndësishme në vend – Kalanë e Lëkurësit në Sarandë dhe Kalanë e Rozafës në Shkodër – përfshijnë ambiente të caktuara shërbimi me sipërfaqe të përcaktuara qartë.
Për Kalanë e Lëkurësit, bëhet fjalë për një hapësirë shërbimi prej 862 m². Kjo kala ndodhet në majë të një kodre me formë piramidale, në mes të rrënojave të fshatit të braktisur Lëkurës, që është braktisur që në vitin 1878. Kalaja gëzon statusin “pasuri kulturore”, i rikonfirmuar me urdhrin nr. 482, datë 1.8.2023 të Ministrit të Kulturës, si dhe me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 730, datë 13.12.2023. Ky vendim përfshin shpalljen e Kalasë së Lëkurësit dhe të Manastirit të 40 Shenjtorëve si pjesë të zonave arkeologjike A dhe B të qytetit të Sarandës, duke miratuar një plan të posaçëm për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre.
Ndërsa për Kalanë e Rozafës në Shkodër, është parashikuar dhënia me qira e një hapësire prej 196.2 m² në oborrin e tretë të kalasë. Edhe kjo kala është e shpallur “pasuri kulturore”, me status të njohur nga një sërë aktesh zyrtare që datojnë që nga viti 1948. Përfshirë këtu: vendimi i Institutit të Shkencave i publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 95, datë 16.10.1948; vendimi i Rektoratit të Universitetit Shtetëror të Tiranës nr. 6, datë 15.1.1963; si dhe urdhri i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës nr. 1886, datë 10.6.1973. Statusi i saj është forcuar më tej me VKM nr. 788, datë 18.12.2024, që përcakton zonat arkeologjike A dhe B të qytetit të Shkodrës dhe miraton zonifikimin dhe planin për ruajtjen dhe menaxhimin e tyre.
Këto dokumente ligjore e nënvizojnë vlerën historike dhe kulturore të dy kalave, duke ngritur pyetje dhe diskutime mbi përputhshmërinë e dhënies së tyre me qera afatgjatë me detyrimet ligjore për mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare.
Shumë qytetarë, ekspertë të trashëgimisë dhe figura të njohura të kulturës janë shprehur të shqetësuar, duke e konsideruar këtë vendim si një formë të maskuar të privatizimit të pasurisë kulturore kombëtare. Ata paralajmërojnë se shfrytëzimi i këtyre objekteve për interesa komerciale mund të cenojë identitetin historik të tyre dhe të shndërrojë monumentet në hapësira thjesht argëtimi, të shkëputura nga misioni i tyre kulturor.
Nga ana tjetër, qeveria këmbëngul se modeli i rijetësimit ka funksionuar në vende të tjera dhe se objektivat janë të qarta: rritja e investimeve në ruajtjen dhe promovimin e kalave historike, pa cënuar integritetin e tyre arkitektonik dhe simbolik.
Në mungesë të transparencës së plotë mbi termat e kontratave dhe kriteret e përzgjedhjes së operatorëve privatë, debati rreth konçesioneve në kulturë duket se sapo ka nisur. Kalaja e Rozafës dhe ajo e Lëkurësit nuk janë thjesht struktura prej guri – ato janë pjesë e shpirtit historik dhe kolektiv të shqiptarëve. Dhe çdo vendim mbi to kërkon një kujdes të veçantë, larg interesave të ngushta dhe me sytë nga brezat që do të vijnë.
Foto nga Google Images
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA


