Kosova, si dhe dy vendet e tjera të Ballkanit Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk po bëjnë mjaftueshëm për ta zvogëluar varësinë nga thëngjilli dhe për ta ulur emetimin e gazrave serrë në atmosferë, sipas një raporti të Rrjetit për Veprim Klimatik (RRVK).
Raporti i koalicionit joqeveritar evropian, i cili i lufton ndryshimet klimatike, thekson se Kosova, Serbia dhe Bosnja nuk i kanë përmbushur synimet e caktuara në Planet Klimatike dhe Energjinë Kombëtare (PKEK), si dhe kanë bërë përpjekje të vogla për të krijuar strategji konkrete për ta hequr nga përdorimi thëngjillin.
“Varësia e vazhdueshme në thëngjill të vjetruar dhe joefikas e pengon tranzicionin e shumënevojshëm në burime të energjisë së ripërtëritshme në rajon. Kjo e minon fizibilitetin e zbatimit të politikave çmimore të karbonit, të cilat nuk adresohen siç duhet në PKEK”, thuhet në raport.
“Kjo mungesë e strategjisë nënvizon një mungesë të madhe të përkushtimit të Kosovës për dekarbonizim”, sipas raportit.
Bosnja, vendi i vetëm i rajonit që eksporton rrymë, e prodhon 60 për qind të rrymës përmes termocentraleve me thëngjill dhe pjesën tjetër përmes hidrocentraleve.
Kosova dhe Serbia e prodhojnë 90 për qind dhe 70 për qind, përkatësisht, të rrymës përmes termocentraleve me thëngjill, ndërsa pjesën tjetër përmes hidrocentraleve dhe centraleve solare dhe të erës.


