Kancelari gjerman Olaf Scholz i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i mbajë premtimet ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në BE.
Në një fjalim para Parlamentit Evropian për të ardhmen e Evropës, Scholz bëri thirrje edhe për vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë më së shumti përparim në negociatat e anëtarësimit në BE, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur vitin e kaluar këto negociata. Bosnje e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, dhjetorin e kaluar.
Duke folur në Ditën e Evropës, që shënohet më 9 maj, Scholz tha se “sa më e bashkuar që është Evropa, aq më lehtë do të përballet me sfida”.
“Ne duhet të jemi edhe më të hapur ndaj tjerëve. Na duhet një BE e zgjeruar dhe e reformuar, një BE gjeostrategjike. Rrallëherë kemi qenë më të bashkuar sesa tash në përballje me agresionin e Rusisë [në Ukrainë]”, tha Scholz.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ai është në favor të zgjerimit të propozuar të sanksioneve me përfshirjen edhe të kompanive kineze, Scholz tha se qëllimi është përmirësimi i sanksioneve ekzistuese dhe se paketa e ardhshme e sanksioneve nuk do të jetë e fundit. /REL/


