Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket Asociacionit, për të cilin tha se duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se nuk duhet të ketë Republikë Serbe.
Kështu ai u shpreh pas një bashkëbisedimi me studentë në Mitrovicë, teksa shtoi se nuk duan “diçka që ka ndikim negativ në funksionim të shtetit të Kosovës”.
Hovenier deklaroi se nuk ka pika të reja për shtuar në lidhje me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për themelimin e Asociacionit.
“ShBA-të besojnë se është obligim për Kosovën që të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë Serbe, dhe në fakt do të theksoj gjithashtu se mbrëmë në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian e ritheksuan edhe atë pritje, që Qeveria e Kosovës duhet të ecë përpara me këtë. Qëndrimi i ShBA-së ka qenë i qartë. Ne besojmë se një Asociacion i Komunave me shumicë Serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, se duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë një shtresë të tretë të qeverisë dhe se nuk duhet të ketë autoritete ekzekutive. Ne nuk duam një ‘Republikë Serbe’ tjetër, nuk duam diçka që do të ndikonte negativisht në mirëfunksionimin e shtetit kosovar”, deklaroi Hovenier.
Hovenier pas një bashkëbisedimi me studentë në Mitrovicë u ka thënë mediave se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për kushtetueshmërinë e draft-statutit të Asociacionit.
“Më duhet të ritheksoj faktin se ndërsa ne mirëpresim reagimet konstruktive, unë jam pak i hutuar nga kaq shumë komente dhe kaq shumë kritika për këtë përpjekje. Mendojmë se fokusi duhet të jetë se si mund të ecë Kosova përpara duke e parë këtë draft të miratuar dhe të kalojë në Gjykatën Kushtetuese. Nëse ka pyetje në lidhje me kushtetutshmërinë e tij dhe, siç e kam thënë edhe më parë, do të them përsëri, është vetëm një organ që është në gjendje të vendosë se çfarë është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe çfarë jo, dhe ajo është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, por ne besojmë se kjo duhet të ecë përpara, dhe të ecë përpara shpejt dhe të gjithë ata që kanë folur për rëndësinë e të qenit në sinkron me Shtetet e Bashkuara dhe të koordinuar me Shtetet e Bashkuara, Perëndimin, dhe Evropën, duhet të shikojnë nga afër në faktin se ky draft ka ardhur nga të gjithë miqtë e Kosovës në Evropë dhe nga Shtetet e Bashkuara”, shtoi ai para mediave.
amerikan theksoi se udhëzimi administrativ i cili mundëson largimin e kryetarëve nga komuna, ishte kërkesë e drejtpërdrejtë e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Këtë e pamë si një hap të rëndësishëm në arritjen e një deeskalimi të situatës në veri të Kosovës. Dhe përsëri, nuk do të them një qëndrim të ri, por Shtetet e Bashkuara ishin mjaft të qarta, ndërsa ne besojmë se katër kryetarët e komunave të zgjedhur në veri u zgjodhën në mënyrë ligjore, askush nuk duhet të jetë i kënaqur me zgjedhjet në të cilat më pak se katër për qind e votuesve të regjistruar kanë votuar, dhe këta kryetarë komunash nuk përfaqësojnë plotësisht të gjithë zonën elektorale të cilës i shërbejnë. Pra, Qeveria e Kosovës iu përgjigj kësaj dhe vendosi një strukturë me të cilën qytetarët, duke ndjekur disa hapa, do të mund të siguronin kujdesin tonë jashtë praktikës për një proces të largimit së zyrtarëve të zgjedhur. Më duhet të them se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë zyrtarët në Kosovë, në të gjitha nivelet, të bëjnë gjithçka që është e mundur për të lehtësuar zbatimin e plotë të këtij udhëzimi administrativ. Ata duhet të bëjnë gjithçka për të siguruar që qytetarët të mund të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Tani e pranoj se kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në Kosovë, ky udhëzim administrativ është i ri, dhe përderisa Kushtetuta e lejon, kjo është hera e parë që ka pasur ndonjëherë një proces që kjo të ndodhë, kështu që është e pashmangshme që mund të ketë konfuzion apo edhe disa gabime të mundshme, por duhet të jem i qartë se cila është pritshmëria e Shteteve të Bashkuara, e cila është se qytetarët kanë të drejtën demokratike, nëse dëshirojnë ta ndjekin atë, të nisin një proces dhe të kryejnë një proces që zyrtarët e zgjedhur të largohen”, tha mes tjerash ambasadori Hovenier.
Tutje, ai theksoi se po presin që Qeveria të punojë që qytetarëve të ju garantohet kjo e drejtë demokratike.
I pyetur nëse mund të ketë ndryshime të draft-statutir, Hovenier tha se i takon të dërguarit të posaçëm, Miroslav Lajçak.
“Kjo është një pyetje për Miroslav Lajçak. Besoj se Miroslav Lajçak i ka thënë Qeverisë së Kosovës dhe të tjerëve, se ai, natyrisht, është i hapur për reagime, por besoj se Lajçak dhe ekipi i tij me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve kanë punuar shumë ngushtë në këtë draft për të siguruar që i plotëson të gjitha kërkesat që parashtrova. Pra, mendoj se çështja është se ka vend për përmirësim ndoshta, por gjithashtu nuk mund të ngecim kaq shumë në specifikat për të humbur momentin dhe rëndësinë e ecjes përpara me asociacionin”, u përgjigj ambasadori amerikan.
Ai ka përsëritur qëndrimin për agresionin në Banjska të Zveçanit, ku tha se dënojnë atë çfarë ndodhi.
“Kjo nuk duhet të kishte ndodhur kurrë, një punonjës policie nuk duhet të vritet në krye të detyrës duke përmbushur detyrat e tij. Në lidhje me pyetjen për z. Radojiqiç, unë thjesht do të thoja atë që kam thënë gjatë gjithë kohës, Shtetet e Bashkuara besojnë se të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal duhet të japin përgjegjësi, dhe ne presim që kjo të ndodhë dhe ia kemi bërë të qartë autoriteteve në Serbi. Tani, nuk mund të flas saktësisht se si Serbia do t’i përgjigjet ose nuk do t’i përgjigjet një njoftimi të kuq të Interpolit, por do të them një nga premisat e pyetjes suaj që besoj se është e pasaktë. Një njoftim i kuq thjesht u kërkon qeverive potencialisht të arrestojnë dikë në bazë të një procesi ligjor të një vendi. Por ka disa raste kur në bazë të një njoftimi të kuq, në shumë vende, një qeveri e caktuar vendos se nuk do të marrë masa për ekstradimin në bazë të një njoftimi të kuq. Duhet të ketë traktate ekstradimi, duhet të ketë shumë kushte të tjera. Kështu që unë do të përsëris se çfarë është pritshmëria jonë. Pritjet tona janë që ata që janë përgjegjës për këtë sulm do të mbahen përgjegjës, dhe këtë ua kemi bërë shumë të qartë autoriteteve serbe dhe autoriteteve të tjera gjithashtu”, theksoi ai.
Ambasadori amerikan para mediave u shpreh se ende po vazhdojnë të bëjnë vlerësimin e asaj çfarë ndodhi me 24 shtator.
“Siç e kam thënë shumë herë, Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu shumë të interesuara për atë që ndodhi në Banjska më 24 shtator. Dhe ne kemi bërë vlerësimin tonë për këtë. Kryesisht duke u mbështetur, por jo vetëm në informacionet e ofruara nga qeveria e Kosovës, ky vlerësim është ende duke u zhvilluar dhe ende në përfundim. Kështu që unë thjesht do të përsëris pikëpamjen tonë, ata që janë përgjegjës për këtë sulm duhet të mbajnë përgjegjësi, ne e kemi bërë shumë të qartë që ky vazhdon të jetë pozicioni ynë”, përfundoi ai.


