Shqipëria vazhdon të përballet me sfidën e pagave të ulëta, duke u renditur si vendi me nivelin më të ulët të pagave në rajonin e Ballkanit. Sipas të dhënave të fundit, pjesa më e madhe e të punësuarve në Shqipëri marrin paga bruto që variojnë nga 60,001 deri në 95,000 lekë në muaj. Kjo kategori përbën 24.6% të të punësuarve, duke qenë grupi më i madh në strukturën e pagave.
Plani trevjeçar për rritjen e pagave në sektorin publik ka sjellë ndryshime në strukturën e të punesuareve sipas nivelit të pagës. Ndërsa paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në sektorin publik ka arritur në 100,400 lekë, sektori privat mbetet prapa me një mesatare prej 76,000 lekësh. Kjo diferencë e thelluar mes dy sektorëve ka ngritur shqetësime për konkurrencën dhe produktivitetin.
Ndërmjet viteve 2022 dhe 2023, paga minimale në Shqipëri u rrit nga 30,000 në 40,000 lekë. Megjithatë, gjendja eshte keqesuar kur merr parasysh qe çmimet jane trefishuar. Gjithashtu kjo rritje ka sjellë sfida për industrinë e prodhimit, duke rritur kostot dhe duke bërë produktet vendase më pak konkurruese. Shumë klientë ndërkombëtarë kanë zhvendosur prodhimin në vende të tjera, duke ndikuar negativisht në ekonominë e vendit.
Qeveria ka shpallur synimin për të rritur pagën minimale zyrtare në 500 euro deri në vitin 2026. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rritja e pagave pa një rritje të produktivitetit mund të kthehet në një bumerang ekonomik, duke shtrenjtuar më tej kostot e prodhimit dhe duke ndikuar negativisht në konkurrencën e produkteve shqiptare.
Ndërsa rritja e pagave është një hap pozitiv drejt përmirësimit të standardit të jetesës, Shqipëria duhet të fokusohet në rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin ekonomik për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme. Sfida mbetet e madhe, por me politika të mirëplanifikuara, vendi mund të arrijë një balancë mes rritjes së pagave dhe konkurrencës ekonomike.


