Zërat që thonë se shteti duhet të marrë përsipër pagesën e plotë të pushimit për lehonat janë shtuar. Nga shoqëria civile dhe komuniteti i biznesit janë të bindur se kjo do të ndikonte në rritjen e natalitetit në vend, i cili prej vitesh në bazë të statistikave zyrtare është në trend ulës. Ndërsa, edhe nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se është duke u punuar në përmirësimin e Ligjit të punës, por nuk thonë se në çfarë faze është aktualisht.
Me Ligjin aktual të punës në Kosovë, pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj. 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë, ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.
Besa Luzha nga shoqëria civile, pjesë e studimeve të ndryshme mbi rregullimin e pushimit të lehonisë, deklaron se është urgjente që kjo çështje të rregullohet në mënyrë që shteti të lirojë bizneset nga obligimi për të paguar gratë lehona.
“Gjatë tri viteve të fundit kemi punuar shumë me organizatat e shoqërisë civile dhe kemi ardhur në konkludim pas shumë studimeve se mënyra e rregullimit të pushimit të lehonisë, të cilën barra i është lënë bizneseve dhe jo shtetit si në të gjitha vendet, po e krijon një situatë, në të cilën ose bizneset, sidomos sektori privat nuk po i punësojnë gratë e reja që janë në moshën për lindje, që janë ose nëse po i punësojnë, kur po e kuptojnë që janë para se të dalin në pushim të lindjes, po gjejnë mënyra prej atyre të ligjshme deri tek ato të paligjshme, me presione të ndryshme, me të cilat po i detyrojnë vetë ta lënë punën… Në vend se ato të shpërblehen për shtimin e popullsisë që është problematikë në të gjitha vendet e rajonit, ato po ndëshkohen për shkak se po krijojnë familje, kjo është situatë absurde”, thotë Luzha.
Gjatë një studimi që kanë realizuar me gratë e Kosovës, me pyetjen se “çfarë është më e rëndësishme për ju në jetë”, Luzha thotë se 90 për qind e përgjigjeve kanë qenë e të pasurit fëmijë. Pra, siç thotë ajo, është vetë interesimi i grave që të bëhen nëna, porse nuk ka politika të mira sociale.
Luzha thekson se këto rekomandime janë adresuar edhe në takime me ministrin e Financave, Hekuran Murati. Fakti që nuk ka pasur asnjë lëvizje pozitive, Luzha mendon se është për shkak të idesë së Qeverisë që të ndryshohet i tërë Ligji i punës, por që çështja e lehonave kërkon një reagim të shpejtë.


