Qeveria e Kosovës duhet të pranojë kërkesat e aleatëve ndërkombëtarë për deeskalimin e situatës në veri, thonë analistët politikë për KosovaPress. Sipas tyre vazhdimi i tensioneve në veri dhe acarimi i marrëdhënieve me ndërkombëtarët nuk janë në favor të Kosovës.
Analisti politik, Arton Demhasaj, ka thënë se kryetarët e katër komunave në veri duhet të ushtrojnë mandatin e tyre në objekte alternative dhe pastaj të caktohet data për zgjedhjet e reja në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, kërkesa këto edhe të bashkësisë ndërkombëtare.
Ai thotë se propozimi pesë pikësh i kryeministrit Kurti dhe fokusimi vetëm në sundim të ligjit nuk mund të prodhojë zgjidhje.
“LSundimi i ligjit nuk është proces që fillon me një datë të caktuar dhe përfundon me një datë të caktuar. Sundimi i ligjit duhet të ndodhë në mënyrë të vazhdueshme, ai nuk mund të lidhet me çështjen e situatës në veri. Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet t’i pranojë kushtet e partnerëve ndërkombëtarë edhe sa i përket tërheqjes së kryetarëve në objekte alternative, tërheqjes së njësive speciale atje dhe caktimit të një date të re të zgjedhjeve në ato komuna. Por paralelisht me këtë mendoj se Qeveria dhe kryeministri Kurti duhet të kërkojnë përkrahje ndërkombëtare për mbështetje ndaj Policisë së Kosovës për secilin aksion që e ndërmerr në veri, që ndërlidhet me luftimin e kriminalitetit apo tendencën e sundimin e ligjit të atë anë”, thotë Demhasaj.
Mungesë të vizionit për të ecur drejt depërshkallëzimit të situatës në veri, po sheh edhe analisti tjetër politik, Albinot Maloku.
Megjithatë, ai thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti shpeshherë ka pranuar kërkesat ndërkombëtare në momentin e fundit kur nuk është pritur që ai të ndryshojë.
“Unë nuk po shoh shumë ecje përpara, presionet në momente të caktuara të faktorit ndërkombëtar ndaj Kosovës po më duken paksa të tepruara. Të zhdrejta në krahasim me akterët që kanë punuar më përpara qoftë në Kosovë apo Serbi. Sidoqoftë, unë konsideroj që nga tradita politike e kryeministrit të vendit, ai ka ndryshuar në momente kur nuk është pritur të ndryshojë, prandaj mendoj se ai edhe tash do të ndryshojë (qëndrim)”, deklaron Maloku


