Moti me i freskët se në natën e parë duket se ka bërë që vizitorët e “Sunny Hillit” ta kenë marrë më shtruar natën e dytë. Me freskinë që sjell fakti i të qenit i vendosur mes një fushe hektarëshe, “sunnyhillët” të premten teksa po afrohet mbrëmja, po vazhdojnë me defilimin e kulturës komplekse të festivalit.
Veshjet ekstravagante, stili bohem, aksesorët e ndryshëm e të personalizuar, flamujt e shteteve të ndryshme, janë vetëm disa nga detajet që tregojnë mishërimin e tyre me këtë ngjarje. E “të djegurit” e mbrëmjes së djeshme të cilët u përballën me temperatura goxha të freskëta pas mesnate kur në skenën “C4” u ngjitën artistë – si Black Coffe – sot janë pajisur së paku edhe me nga një rrobë më tepër.
Skena kryesore deri vonë ka shërbyer për provat e fundit të artistëve derisa reperi Jolle nga Peja u ngjit i pari. Performanca e tij tashmë ka nisur.
Energjik e plot pritshmëri publiku i “Sunny Hillit” sonte pret performancën e artistit nigerian Burna Boy dhe “The Martines Brother”, dyshja e muzikës elektronike.


