Më 2 maj, në Bruksel, Serbia dhe Kosova pritet të vazhdojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat po i zhvillojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se në agjendën e takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq do të jetë fillimi i procesit të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për median sllovake “Dennikn”, Lajçak ka thënë se Serbia i ka kryer obligimet e veta nga ajo marrëveshje.
“Thelbi i asaj marrëveshjeje ishte se Serbia nga njëra anë do të shpërbënte strukturat paralele në Kosovë, kryesisht policinë dhe gjyqësorin, të cilat më pas do të bëheshin pjesë e sistemit juridik të Kosovës. Dhe në anën tjetër, Kosova do të krijojë një Bashkësi të komunave serbe. Pjesa e parë ndodhi, e dyta jo. Nuk dua të shkoj në të kaluarën dhe të vlerësoj pse ndodhi”, është shprehur ai.
“Ne e shohim këtë si një mundësi për të qartësuar disi marrëdhëniet ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës. Dhe në të njëjtën kohë të definohet roli i Serbisë në mbështetjen e serbëve të Kosovës”, ka thënë tutje ai.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë konfirmuar tashmë se në fokus të këtij takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë edhe çështja e Asociacionit, përkatësisht prezantimi i draft-statutit të Asociacionit, i hartuar nga Ekipi Menaxhues.
Negociatat do të vazhdojnë mes aktivitetesh të intensifikuara diplomatike të partnerëve perëndimorë, në radhë të parë të BE-së dhe SHBA-së.
Këto përpjekje rezultuan në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit – për të cilën kryeministri Kurti, dhe Vuçiq, ranë dakord për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.


