Sot në Bruksel do të takohen kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, takim ky i pari i nivelit të lartë, pas atij të Ohrit ku u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes.
Në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë është bërë e ditur se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00.
Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, thuhet në njoftim.
Në fund të takimit, pritet një deklaratë e përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell.
E të hënën në mbrëmje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka mbërritur në Bruksel, para takimit të së martës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti thotë se përgatitja për këtë takim ka qenë komplekse, por edhe e lehtë.
Kryeministri Albin Kurti një ditë para takimit të 2 majit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq“Mbërrita në Bruksel dhe kalova ditën duke u përgatitur për takimin e së martës. Përgatitja për negociata është komplekse por edhe e lehtë: komplekse sepse ka shumë informacione dhe detaje të përfshira, ndër të tjera, por e lehtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të ndershme dhe fisnike”, njoftoi Kurti në Twitter.
Ndërkaq, një ditë para takimit në Bruksel, Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Këshilltarin e Lartë në Departamentin e Shtetit në SHBA, Derek Chollet.
Këshilltari amerikan në një postim në llogarinë e tij në Twitter, bëri të ditur se është biseduar për themelimin e Asociacionit dhe partneritetin e fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për takimin e 2 majit të liderëve lidhur me normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, dhe shpreha rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për komunat me shumicë serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”, shkroi Chollet.
Ndërsa Kurti theksoi rëndësinë që Marrëveshja themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim.
“Pata një telefonatë të mirë me Derek Chollet sot, ku diskutuam agjendën e takimit të së martës… Theksova rëndësinë që Marrëveshja Themelore dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen në tërësi dhe në mirëbesim. E falënderova edhe për mbështetjen e SHBA-së”, u shpreh Kurti.


