Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar të premten një memorandum që udhëzon Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) të kryejë pagesat për punonjësit e Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA), pas një periudhe të gjatë ngërçi buxhetor që i la shumë prej tyre pa paga për javë të tëra.
Sipas deklaratës zyrtare, vendimi erdhi pasi negociatat në Kongres nuk arritën të siguronin fondet e nevojshme për këta punonjës, të cilët kanë vazhduar punën e tyre në aeroporte pavarësisht mungesës së kompensimit financiar. Në memorandum, Trump e cilëson situatën si një emergjencë që cenon sigurinë kombëtare, duke theksuar se punonjësit e TSA po kryejnë detyra kritike pa siguri financiare për jetesën e tyre.
“Nëse demokratët në Kongres nuk do të veprojnë për të nderuar shërbimin e oficerëve tanë të TSA-së, të cilët tani po kryejnë përgjegjësitë e tyre kritike të sigurisë publike pa e ditur nëse do të jenë në gjendje të blejnë ushqim për familjet e tyre ose të paguajnë qiranë, atëherë Administrata ime do të ndërmarrë veprime. Si President i Shteteve të Bashkuara, kam përcaktuar se këto rrethana përbëjnë një situatë emergjente që kompromenton sigurinë e Kombit. DHS konfirmoi ndryshimin të premten, duke thënë se pagat e para do t’u arrinin punonjësve të TSA-së që të hënën, më 30 mars”,- thuhej në memo.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare konfirmoi se ndryshimi është tashmë në fuqi dhe se pagesat e para për punonjësit pritet të shpërndahen që në fillim të javës së ardhshme, konkretisht rreth datës 30 mars.
Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se fondet për këto pagesa do të sigurohen nga paketa ligjore e miratuar më herët gjatë vitit 2025, e njohur si “One Big Beautiful Bill”, e cila përfshin dispozita për emergjenca dhe financime të veçanta.
Ky zhvillim vjen në një moment kur tensionet politike në Uashington kanë çuar në ndërprerje të pjesshme të funksionimit të disa agjencive federale, duke ndikuar drejtpërdrejt në punonjësit e sektorit të sigurisë dhe transportit. Vendimi i fundit synon të zbusë pasojat për punonjësit e TSA dhe të garantojë vazhdimësinë e operacioneve në aeroportet amerikane.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse ky hap do të ndikojë në zgjidhjen më të gjerë të krizës buxhetore, e cila vazhdon të mbetet një pikë e nxehtë përplasjesh mes administratës dhe ligjvënësve në Kongres.
Foto nga profili i The White House
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


