Në një lëvizje që duket si skenar nga një komedi politike, kryetari i Nju Jorkut, Eric Adams, kapërcen Atlantikun pak javë përpara se mandati i tij të mbarojë — dhe s’vjen vetëm. Vjen me fotot, lavdërimet, premtimet për bashkëpunim — dhe natyrisht, me Edi Ramën si personin me të cilin duhet bërë pazari politik më i butë i momentit.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, ka udhëtuar drejt Shqipërisë në një vizitë katërditore, vetëm pak javë para përfundimit të mandatit të tij si kryebashkiak. Udhëtimi, i realizuar me ftesë zyrtare të kryeministrit Edi Rama, ka ngjallur reagime të forta në SHBA, ku shumë media e kanë cilësuar si një lëvizje të pazakontë, të mbushur me pikëpyetje politike dhe etike.
Sipas gazetës New York Times dhe mediave të tjera amerikane, kjo vizitë vjen në një moment delikat për Adams, i cili ndodhet nën presion për çështje të ndryshme administrative dhe politike.
Adams, sipas mediave shqiptare, nuk humbet rast për të thënë se “i kishte premtuar Ramës” se do të vinte për të parë progresin e turizmit dhe sigurisë. Po ashtu, Shqipëria për të është “një vend i mrekullueshëm” me njerëz miqësorë — fraza që tingëllon bukur, por që mund të përdoret si sfond për fotot zyrtare.
Qëllimi i vizitës
Sipas njoftimeve zyrtare nga zyra e Bashkisë së Nju Jorkut, qëllimi i udhëtimit është forcimi i marrëdhënieve ekonomike, turistike dhe kulturore mes Nju Jorkut dhe Shqipërisë.
Adams pritet të takohet me përfaqësues të qeverisë shqiptare, sipërmarrës dhe figura nga fusha e teknologjisë për të diskutuar mundësi investimesh, bashkëpunime në turizëm dhe zhvillimin e marrëdhënieve tregtare.
Kryebashkiaku amerikan do të shoqërohet nga një pjesë e stafit të tij dhe nga truproja personale, siç është e zakonshme për udhëtime zyrtare të nivelit të tillë.
Kryeministri Rama, nga ana tjetër, nuk duket i pafat: me këtë vizitë, merr vëmendje ndërkombëtare, imazh progresi dhe një mundësi për të promovuar duke treguar: “Ja ku e sheh, edhe vetë, New Yorku’ vjen për të parë se ç’bëjmë ne këtu”. Dhe pse jo — mund të kete mundesi kur fluturimet direkte dhe bashkëpunimet teknologjike të jenë lajme që kapin titujt e mëngjesit.
Financimi dhe polemikat
Sipas burimeve zyrtare, qyteti i Nju Jorkut mbulon vetëm biletat e udhëtimit për Adams dhe një ndihmës, ndërsa akomodimi dhe transporti në Shqipëri mbulohen nga qeveria shqiptare — diçka që ka ngritur diskutime në SHBA për transparencën dhe etikën e shpenzimeve publike.
Sa kushton gjithë ky teater diplomatik— biletat, hotel, udhëtimi, pritja? Dhe sa nga kjo kosto i shkon buxhetit të Shqipërisë?
Disa kritikë kanë kërkuar që të sqarohet nëse kjo vizitë përfaqëson interesat e qytetit apo shërben për qëllime personale dhe politike të Adams, në një periudhë kur ai ka shpallur se nuk do të kandidojë për një mandat të dytë.
Reagimet dhe dyshimet
Vizita e Adams ka shkaktuar reagime të përziera në opinionin publik amerikan. Disa e shohin si një gjest miqësor ndaj komunitetit shqiptar-amerikan, një prej më të mëdhenjve në Nju Jork. Të tjerë e shohin si një lëvizje simbolike për të ndërtuar lidhje ndërkombëtare, ndoshta në prag të një karriere të re në diplomaci apo në institucione federale — diçka që zëdhënësit e tij e kanë mohuar kategorikisht.
Ndërkohë, në Shqipëri, udhëtimi shihet si pjesë e strategjisë së Edi Ramës për të forcuar imazhin e tij ndërkombëtar. A është gjithë kjo për turizëm real, ose për lajme, fotot me gjelbërim, dhe hashtag “New York loves Albania”?
Çfarë pritet më tej
Rezultatet konkrete të këtij udhëtimi mbeten për t’u parë, por një gjë është e qartë: vizita e Eric Adams në Tiranë ka vendosur Shqipërinë sërish në qendër të vëmendjes së mediave amerikane.
Nëse kjo lëvizje do të shërbejë si një hap pozitiv për bashkëpunime të reja, apo do të mbetet një episod i diskutueshëm në fund të karrierës së tij politike, do ta tregojë koha.
Foto nga Google Images
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA