-7.9 C
Sterling Heights
19/01/2026, 9:38
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Ujë 24 orë, një premtim politik i ricikluar

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaLajmeUjë 24 orë, një premtim politik i ricikluar

Nga Eglantina Alliaj

Ujësjellësi i Vlorës në kolaps: problem teknik apo dështim sistemik?

Qyteti i Vlorës vijon të përballet me mungesë të vazhdueshme të ujit të pijshëm, një problem që përsëritet çdo verë, por që u rikthye në mënyrë akute edhe në fund të vitit 2025 dhe fillim të vitit 2026.

Një defekt në tubacionin kryesor 1000 mm – një arterie jetike e furnizimit – mjaftoi për të paralizuar një qytet turistik me mbi 100 mijë banorë dhe mijëra biznese. Ishte një krizë e paralajmëruar, por jo e papritur. Ky episod nxori në pah një problem shumë më të thellë se një avari teknike: dështimin kronik të investimeve, planifikimit dhe llogaridhënies në sektorin e ujësjellësit të Vlorës, pavarësisht miliona eurove të shpenzuara dhe një dekade premtimesh për furnizim 24-orësh me ujë të pijshëm. Problemi është thellësisht infrastrukturor: rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar, me tubacione të vjetra dhe të papërshtatshme për presionin aktual të furnizimit. Megjithatë, premtimet  kanë qenë të pranishme në çdo fushatë elektorale, si nga pushteti vendor ashtu edhe nga ai qendror.

 

Situata aktuale

 

Në fund të dhjetorit 2025, Vlora mbeti pa ujë të pijshëm për pesë ditë rresht, pas një defekti serioz në tubacionin kryesor me diametër 1000 mm që furnizon depot e qytetit. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Faluers Shoshi, deklaroi se çarja erdhi si pasojë e rrëshqitjes së dheut dhe përdorimit të një tubi plastik, i cili sipas tij nuk është më standard për këtë diametër. “Ky tub duhet të ishte prej gize ose çeliku. Kjo është ndërhyrja e tretë riparuese. Presioni i lartë e bën linjën shumë të ndjeshme ndaj dëmtimeve,” tha Shoshi. Ky nuk është rasti i parë. Avari të ngjashme janë regjistruar ndër vite, duke treguar se problemet janë strukturore dhe jo thjesht “teknike”, siç shpesh janë cilësuar nga autoritetet. Ky fakt ngre pyetjen kryesore: Pse një tubacion kritik për furnizimin e qytetit është ndërtuar ose lënë në funksion me materiale të papërshtatshme dhe pa linja rezervë? Në një sistem funksional, defekte të tilla nuk duhet të lënë një qytet të tërë pa ujë për ditë të tëra.

Premtime politike dhe realiteti

Kryeministri Edi Rama ka premtuar vazhdimisht furnizim 24-orësh me ujë për Vlorën që prej vitit 2013. Në vitin 2021 ai garantoi furnizim të plotë gjatë mandatit të tretë, ndërsa në vitin 2025 relativizoi problemin, duke deklaruar se edhe në komunizëm nuk kishte ujë 24 orë. Ish-kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, gjatë fushatës së vitit 2023 premtoi zgjerimin e rrjetit të furnizimit me ujë si prioritet të mandatit të tij. Në deklarata publike, ai foli për një projekt disa-vjeçar dhe për një marrëveshje investimi prej 18 milionë eurosh me palën gjermane. Megjithatë, në vitin 2024, pas një serie krizash – përfshirë atë të mbetjeve, zjarrit në landfill dhe përmbytjeve – Dredha dha dorëheqjen, ndërsa problemi i ujit mbeti i pazgjidhur.

 

Ndarja e përgjegjësive,  kush e ka fajin?

 

Gjatë krizës së fundit, bashkia e cilësoi situatën “fatkeqësi natyrore”, duke theksuar se ujësjellësi administrohet nga qeveria qendrore. Nga ana tjetër, institucionet qendrore e trajtuan problemin si defekt teknik të përkohshëm. Kryetarja aktuale e Bashkisë, Brunilda Mersini, e cilësoi situatën si “fatkeqësi natyrore”, duke theksuar se prej dy vitesh administrimi i furnizimit me ujë është nën përgjegjësinë e qeverisë qendrore dhe jo të bashkisë. Ajo bëri të ditur se furnizimi emergjent po kryhet me 15 cisterna uji, me prioritet për institucionet publike.  Kjo ndarje e paqartë e përgjegjësive ka qenë konstante në Vlorë dhe ka krijuar një zonë gri ku askush nuk mban përgjegjë politike apo administrative, ndërsa qytetarët mbeten pa shërbim bazik.

 

 

Investime të shumta, rezultate minimale

 

Që prej vitit 2013, Vlora ka qenë në qendër të deklaratave politike për investime strategjike në ujësjellës. Kryeministri Edi Rama e ka përdorur furnizimin 24-orësh me ujë si simbol “qytetërimi”, ndërsa drejtues vendorë kanë premtuar zgjidhje përfundimtare pothuajse në çdo mandat. Vetëm në vitet 2020–2021, sipas raportimeve mediatike, janë shpenzuar rreth 9.6 miliardë lekë për investime në ujësjellësin e qytetit. Në vitin 2024, nisi zbatimi i projektit madhor ËPIP / MIP V, me mbështetje nga KfË dhe BE, që parashikon:

-zëvendësimin e rreth 97 km tubacionesh

-instalimin e mijëra matësve të ujit

-rikonstruksionin e rezervuarëve

-furnizim 24/7 për rreth 95 mijë banorë

 

Megjithatë, asnjë prej këtyre projekteve nuk ka garantuar deri tani siguri reale furnizimi, ndërsa afatet përfundimtare mbeten të paqarta dhe të shpërndara deri në vitet 2026–2028.

Projekte pa llogaridhënie

 

Një problem thelbësor në rastin e Vlorës është mungesa e transparencës: nuk ka raporte publike të plota mbi përfundimin real të investimeve të mëparshme

nuk ka auditime të pavarura që tregojnë pse investimet nuk kanë funksionuar

nuk ka përgjegjësi personale apo institucionale për dështimet

Edhe investimi i shumëpërmendur prej 18 milionë eurosh me partnerë gjermanë është përmendur në deklarata politike, por pa dokumente publike të qarta mbi objektivat, afatet dhe rezultatet. Në praktikë, qytetarët përballen me të njëjtin realitet: ujë me orar, presion të ulët, ndërprerje të gjata dhe furnizim me cisterna në raste krize.

 

Turizëm me  infrastrukturë të brishtë

 

Ironikisht, krizat e ujit ndodhin në një qytet që promovohet si destinacion turistik strategjik kombëtar. Çdo verë, kërkesa për ujë rritet ndjeshëm, por infrastruktura mbetet e njëjtë – e vjetër, e dëmtuar dhe e pambrojtur ndaj avarive. Kjo jo vetëm cenon jetën e përditshme të banorëve, por rrezikon edhe ekonominë lokale, turizmin dhe imazhin e qytetit.

Ujë si slogan, mungesë si realitet

Çështja nuk lidhet vetëm me një ndërprerje të përkohshme, por me besueshmërinë e modelit të investimeve publike dhe me mënyrën se si përzgjidhen dhe monitorohen kontraktorët që marrin fonde të konsiderueshme shtetërore. Institucionet vendore dhe qendrore kanë ndërhyrë me masa emergjente për rikthimin e furnizimit, ndërsa po analizohen shkaqet e situatës. Por për qytetarët e Vlorës, pyetja mbetet konkrete dhe e drejtpërdrejtë: pse një rrjet i ndërtuar me para publike, nuk po siguron një shërbim bazë jetik? Rasti i fundit i ndërprerjes pesëditore të ujit tregoi edhe një herë se problemi i furnizimit me ujë në Vlorë nuk është episodik, por sistemik. Pavarësisht miliona eurove të investuara dhe premtimeve të përsëritura, qyteti vazhdon të vuajë pasojat e një infrastrukture të amortizuar dhe një menaxhimi të fragmentuar. Derisa investimet të përkthehen në rezultate konkrete dhe përgjegjësitë të jenë të qarta, uji i pijshëm 24 orë në ditë mbetet më shumë një premtim politik i ricikluar, sesa një realitet për qytetarët e Vlorës.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img