Analistët dhe njohësit e çështjeve politike kanë komentuar vizitën e presidentes Vjosa Osmani në selinë e NATO-s, ku është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.
Njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri tha se çështje për diskutim është se pse është ftuar presidentja, Vjosa Osmani, në selinë e NATO-s dhe jo kryeministri, Albin Kurti.
Pasi sipas Ymerit, ky takim ishte për procesin e Dialogut dhe procesin e shtesionimit të situatës në veri të Kosovës dhe këto i takojnë Qeverisë.
“Për mua është e çuditshme pse është ftuar presidentja në NATO e jo kryeministri, meqë ky takim dhe ato çka janë folur është kryekëput për procesin Dialogut dhe procesin e shtensionimit. Dhe masat dhe vendimet për shtensionim nuk i takojnë presidencës i takojnë ekzekutivit, se janë masa ekzekutive. Për mua kjo është çështje për tu diskutuar”, ka thënë Ymeri në “Debat Plus”.
Ymeri ka komentuar edhe deklaratën e Sekretarin të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg, lidhur me kërkesën që FSK dhe Policia e Kosovës duhet t’i bëjnë KFOR-it para se të shkojnë në veri.
“Kemi më pak sovranitet. Nëse forcat e KFOR-it do të jenë vendimmarrës ose bashkëvendimmarrës për këtë çështje, atëherë i bie që Qeveria e Kosovës, komanda e Policisë, nuk mund të marrin vendim pa miratim, për operacionet policore. Sa do të paraqesë kjo problem në praktike nuk e di”, ka thënë Ymeri.
Analisti politik, Dardan Gashi, ka vlerësuar se veprimet Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës kanë rezultuar në dështime dhe situata regresive.


