Ish-deputeti, Visar Ymeri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kurse për një gjë të tillë i kishte shpallur tradhtarë Hashim Thaçin, Isa Mustafën e Edi Ramën.
“Hashim Thaçin e kemi shpallur tradhtar për shkak të Zajednicës së 2013-tës, Isa Mustafës për shkak të 2015-tës, edhe Edi Ramën, dhe tash Albin Kurti i pranon të gjitha këto”, tha ai në Debat Plus.
Ai tha se dita e nesërme do të jetë ditë e rëndësishme për dialogun Kosovë – Serbi.
Arsyeja e parë, sipas tij, janë zhvillimet e fundit dhe dallimet e qëndrimeve të pjesëtarëve të pozitës.
“Nesër do të jetë ditë e rëndësishme për të ardhmen e dialogut. Për shkak të zhvillimeve që i kemi pasur deri tash. E dyta që e bën këtë ditë të rëndësishëm janë deklarimet e krerëve institucionalë, kryeministrit, ministrat, presidentes, që na bën ne sot absolutisht të pamundur se çfarë do të bëjnë nesër”, tha ai.
“Nëse i merr i lexon deklaratat rreth dialogut prej 24 shtatorit, kryeministri, ministri i MPB-së, presidentja, kryetari i Kuvendit, ministrja e MPJ-së, deputetët njëri pas tjetrit. Ti thua çfarë do të bëjmë me këtë dialog, a ka vdekur dialogu a është gjallë, a vazhdon apo jo, a e kemi pranuar marrëveshjen apo jo, a ka dallim plani i sekuencimit tash që ka ardhur me të kaluarin…Krejt kjo përpjekje që e ka bërë Qeveria e Kosovës a ia ka hequr ndonjë presje këtyre dokumenteve, shumica prej tyre më të vjetra se përpjekja e Qeverisë. Këtë e ka për detyrë Kurti me na tregu”, ka vijuar ai.
“A ia ka vlejtur që të kemi sanksione, a ia ka vlejtur që Kosova të kritikohet nga të gjithë, a ia ka vlejtur që kryeministrin të mos e takojë askush sepse është në sanksione, për me ardhur të dokumenti që Edi Rama e pati dorëzuar, që e kemi shpallur tradhtar të interesit kombëtar”, tha ai.


