Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Ambasada ka thënë se synim i saj është “të avancojë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit, në mbështetje të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja”.
“Ne jemi duke organizuar këtë diskutim, në përputhje me synimin tonë për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, por edhe si reflektim i miqësisë sonë për kohë të gjatë, dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”, ka thënë ambasada.
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka marrë ftesë në këtë diskutim.
REL ka pyetur edhe Qeverinë e Kosovës nëse kryeministri Albin Kurti është ftuar në këto bisedime dhe nëse po, a do t’i përgjigjet ftesës, por, nuk ka marrë përgjigje.
Në të njëjtat pyetje nuk është përgjigjur as Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetje nga Beogradi zyrtar.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në muajin dhjetor se, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”.
Ai ka thënë se këta partnerë mund të jenë nga shoqëria civile, grupet multietnike apo institutet, përkatësisht subjekte që mund të ofrojnë ide, mbi bazën e të cilave mund të krijohet Asociacioni, pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Ai ka thënë se këta partnerë mund të jenë nga shoqëria civile, grupet multietnike apo institutet, përkatësisht subjekte që mund të ofrojnë ide, mbi bazën e të cilave mund të krijohet Asociacioni, pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, Escobar ka thënë se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.