Kombëtarja e Kosovës në boks ka mbetur pa trajner pasi Besim Brahimi ka dhënë dorëheqje. Këtë vendim Brahimi thotë se e mori për shkak se ka pasur ndërhyrje direkte nga kryetari i Federatës së Boksit Enver Krasniqi në përzgjedhjen e boksierëve për garat ndërkombëtare, por edhe për shkak të mos pagesës me pagë të rregull.
Ai ka thënë se ndërhyrje të tilla nuk mund t’i pranojë në punën e tij nga ana e bordit të federatës dhe se kjo ka sjellë deri në vendimin për dorëheqjen e tij.
“Presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës më është përzier në shumë gjëra, edhe në përzgjedhje. Jam kapërdirë për hatër të boksit, por janë disa gjëra që edhe nuk mundesh më të kapërdihesh dhe pak edhe jam lodhur sepse të punosh për shtatë vite pa pagë, unë e kam bërë këtë. Ne edhe si familje kemi bërë shumë edhe për shtetin e Kosovës, mirëpo jam lodhur në këtë aspekt për shkak se nuk është e drejtë një selektor të punojë pa pagë…Mëditje vetëm kur shkon në ndonjë Kampionat Evropian apo Botëror.”, tha Brahimi.
Tutje Brahimi ka thënë se kryetari i Federatës së Boksit Enver Krasniqi, ka caktuar edhe emrat e boksierëve që duhet të marrin pjesë në kampionate evropiane e botërore.


